Prefektja e Qarkut Vlorë, Evis Allushi

Reshjet e forta të shiut kanë shkaktuar rrëshqitje toke dhe dëme materiale në Selenicë të Vlorës.

Dy banesa janë shembur për shkak të shkarjes së dherave ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar. 

Prefektja e Qarkut Vlorë, Evis Allushi, së bashku me kryetarin e bashkisë Selenicë, inspektuan nga afër situatën në aksin rrugor Kotë–Sevaster, pranë fshatit Vajzë, ku është shënuar edhe dëmi më i madh.

“Banorët ishin të shqetësuar për situatën që po kalonin, ndërkohë që ishin larguar për t’u strehuar në shtëpitë e të afërmve të tyre. Iu bashkova shqetësimit të banorëve dhe kërkova nga bashkia dhe strukturat përkatëse që të jenë në shërbim të pandërprerë për çdo kërkesë të tyre, duke i siguruar për mbështetjen e prefekturës”, u shpreh Allushi.

Më herët, Allushi, në koordinim me kryetarin e njësisë administrative Novoselë, u takua edhe me kryetarët e fshatrave të zonës.

“Informuam për situatën dhe u kërkuam që të lajmërohen banorët për rrezikun e daljes nga shtrati të lumit. Prefektura është në terren për të ndjekur nga afër situatën dhe për të koordinuar në kohë reale strukturat, me qëllim zgjidhjen sa më të shpejtë të problematikave që mund të krijohen”, theksoi ajo.

Aktualisht në Qarkun e Vlorës situata e reshjeve paraqitet e qëndrueshme dhe nën kontroll, ndërsa monitorimi i zonave problematike vazhdon.


Lajmi kryesor:

Moti i keq, ushtria në terren! Rama ndan foto nga Shkozeti: Kanalet të bllokuara nga plehrat! Salla i përgjigjet opozitës nga Report Tv: Hidorvorët në punë