Tre Bashë, një Ramë

Tre Bashë, një Ramë

Kreu i PD-së Lulzim Basha dhe kryeministri Edi Rama

Duket se këto ditë është thjesht e pamundur ta bësh Lulzim Bashën të acarohet. Shetit nga një qytet në tjetrin, ulet në të gjitha studiot televizive të Tiranës kryq e tërthor, por ka të printuar në fytyrë një buzëqeshje çarmatosëse që s’ka Zot ta fshijë. Duket si ato bojërat që pasi bien diku, lenë një njollë që nuk ka solucion ta pastrojë.

Ky është Lulzim Basha versioni 3.0! Mund të ketë edhe nënversione të tjera të këtij politikani kamaleon gjatë 15 viteve të fundit, pasi tashmë nuk është më i ri në bursën e politikës. Gjithsesi, tre versionet e Bashës përkojnë me tre momentet më kyçe të tij në krye të opozitës: Çadrën e vitit 2017, krizën e mandateve të vitit 2019 dhe fushatën elektorale aktuale.

Tre momente, për tre fytyra. Tre maska do të thoshte dikush dhe s’do gabonte fare në këtë rast. Pasi Lulzim Basha i ndryshon gjendjet dhe sjelljet e tij publike, me lehtësinë e një prestidigjitatori që nxjerr nga xhepi maskën e radhës.

Lulzim Basha i vitit 2017 ishte avatari i politikanit që flirtoi për herë të parë publikisht e për një afat të gjatë kohor, me hijen e paraardhësit të tij Sali Berisha. Provoi të motivojë një proces rrëzimi të Ramës që kalonte nga bulevardi e jo nga zgjedhjet, tentoi të trashte zërin në mitingje dhe të rëndonte fjalorin e sharjeve ndaj kundërshtarit dhe qeverisë. Ajo që mbeti në mend megjithatë tek populli i Çadrës ishte kërcënimi se do të godiste “me grusht në fytyrë” drejtorin e Televizionit Publik dhe se do t’i thyente xhamat e zyrës!

Më pas, Lulzim Basha i vitit 2017 provoi të bënte edhe negociatorin e orëve të vona. Një zeje që u provua se e zotëronte edhe më keq sesa zanatin e tigrit të mitingjeve. U ul me Ramën një mbrëmje të majit në zyrat e Kuvendit dhe…humbi zgjedhjet!

I ndryshëm nga Basha i parë, është kreu opozitar që na u paraqit dy vjet më vonë, në të njëjtin vend: poshtë zyrave të Edi Ramës. Kësaj rradhe me shiritat e përgjimit të zyrtarëve socialistë në xhep, të cilat datonin nga zgjedhjet e fundit. Kishte gjetur me dy vjet vonesë shkakun e vërtetë të humbjes elektorale. Ashpërsoi gjuhën, armatosi fanatikët dhe solli në bulevardin e Tiranës një ushtri private me shishe benzine në xhepa e vështrimin e egër në sy.

Edhe Basha i dytë pati fatin e të parin, në raport me objektivin madhor politik: rrëzimin e Ramës. U detyruan ambasadat t’i mbanin dorën çdo javë, për nja tre muaj rresht, që të mos digjte zemrën e kryeqytetit. Basha i dytë e kishte rikthyer PD në origjinë. Ashtu siç e donte Doktori. Një parti që ka mbajtur përjetësisht era tym dhe pluhur mitingjesh.

Shumëkush priste që ekstremizimi i skajshëm i qëndrimit të Lulzim Bashës në 2019, të tranzitohej edhe në zgjedhjet politike të 2021. Çfarë mund të kishte përtej largimit kolektiv nga sistemi politik, i një opozite? Radikalizëm dhe anarki edhe në vazhdim!

Megjithatë po ndodh diçka krejt e kundërt. Para se të tjerët të analizonin versionet e Lulzim Bashës që ai mban të varur në dollapin personal, vetë kryetari i PD duket se e ka kuptuar se dy klonet e tij të para ishin jashtë përdorimi. Edhe ai i negociatorit të minutës së fundit i vitit 2017, edhe varianti revolucionar i dy viteve më vonë.

Lulzim Basha versioni 3.0 është një politikan “holandez” në kuptimin e vërtetë të fjalës, me pak stilim izraelit: i qeshur në kohë me diell dhe me shi, llafazan si askush tjetër, marramendës në shifra (aq sa i bën përshesh edhe vetë), ofrues i gjithçkaje dhe entuziast i pandreqshëm. Një shitës perfekt i ajrit!

Do të ndalojë të rinjtë që të ikin nga vendi, do t’u kthejë buzëqeshjen bujqve duke ju ulur çmimin e naftës, do t’u dhurojë çdo mëngjes nga një hamburger falas kalamajve nëpër shkolla, do të shkrijë akujt me Evropën në 100 ditë, si dhe të anullojë me një të rënë të lapsit të gjitha projektet e qeverisë aktuale!

“E ç’më duhet mua se çfarë mendoj unë”, ka qenë një shprehje legjendare e të madhit Shvejk. Ja, ky është modeli i Lulzim Bashës nr.3. Një model politikani që s’i afrohet askund liderit naiv të Çadrës që besonte se Ilir Meta ishte aleat i tij, apo kryetarit zëngjirur të vitit 2019, që lotonte sa herë që Sandër Lleshi hidhte gaz lotsjellës nga çatia e zyrës së Edi Ramës. Një njeri-android, i painfluencueshëm nga zhurmat që e rrethojnë, i pashqetësuar nga asnjë goditje para, anash ose ngado që t’i vijë.

I gjithë ky evolucion i species do të ishte perfekt, nëse nuk do të përballej me një problem të vjetër. Në fakt, problemin më të madh dhe të pazgjidhshëm të Lulzim Bashës: garën me të padryshueshmin, të pakorigjueshmin dhe të përhershmin Edi Rama. Një lider politik që në vitin 2017 e prekte në shpatull me delikatesë te dera e Kuvendit, duke i thënë me zë të butë ‘Erdha unë”. Ose që në vitin 2019 rrinte mbyllur në zyrë e priste me durim që dallga e tymit dhe shashkave të largohej nga Kryeministria, e që tani ka veshur edhe një herë brekushet dhe po bën të vetmen gjë që di të bëjë: të ngacmojë vëmendjen e shqiptarëve me një breshëri batutash, ngacmimesh e ironie nëpër sheshet e Shqipërisë.

Në fund të dy mandateve qeverisëse, me tërmetin dhe pandeminë mbi shpinë, Edi Rama s’e ka të lehtë as të buzëqeshë, as të bëjë të tjerët të venë buzën në gaz. E megjithatë të gjitha sondazhet konfirmojnë deri tani se partia e tij do të jetë të paktën forcë e parë politike pas 25 prillit. E pamjaftueshme për Ramën, që edhe kësaj rradhe është ai i dy, katër apo dhjetë viteve më parë. Një politikan provokativ, shpotitës dhe thellësisht ndarës për shqiptarët. E që kërkon sërish pushtetin, për të tretën herë rresht.

Ky është Rama që të gjithë njohin prej kohësh, që nuk di të jetë ndryshe dhe që as mundohet të ndërrojë lëkurë.

Një Ramë dhe tre Bashë janë emblema politike e dekadës që lamë pas dhe me gjasë edhe asaj ku jemi futur. Me përjashtim të tërmetit që mund të shkaktojë brenda PD ose PS rezultati i 25 prillit, pasojat e të cilit sot janë thjeshtë të paparashikueshme. Për të dy kalorësit e mësipërm.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ben: 19/04/2021 19:05

    Tre koqe Bashe nje Rame.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja