Karriera e trajnerit është e lidhur me rezultatet dhe një gjë të tillë e di mirë edhe tekniku i PSG-së, Christophe Galtier. Trajneri është duke u përballur me krizën më të madhe të rezultateve që nga koha kur u ul në stolin e skuadrës, me tre humbje radhazi. Disfatat me Marseille në Kupë, me Monacon në Ligue I dhe Bayern Munich në Champions League kanë bërë që të diskutohet shkarkimi i tij.
Sipas informacioneve të raportuara nga shtypi francez, Galtier do të drejtojë ekipin të paktën deri në ndeshjen e kthimit kundër Bayern Munich më 8 mars. Pas kësaj date, çdo gjë mund të ndodhë, veçanërisht nëse rezultatet nuk përmirësohen.
Kush mund të marrë drejtimin e skuadrës në vend të tij? Emiri i Katarit gjithmonë ka ëndërruar Zinedine Zidane, i cili ishte prioriteti pas ndarjes me Mauricio Pochettinon. Thomas Tuchel është një mundësi, teksa marrëdhënia e tij e trazuar me Leonardon çoi në shkarkimin e trajnerit në dhjetor 2020, por një rikthim nuk mund të përjashtohet.