SHKODER- Tre maturantë të gjimnazit “Jordan Misja” në Shkodër propozojnë një ide inovative për t’i dhënë zgjidhje situatave me përmbytjet.
Anxhelo Babani, Rikardo Ahmataj dhe Ilario Sokoli prezantuan projektin e tyre në Festivalin e Shkencave, duke tërhequr vëmendjen me një zgjidhje praktike për një nga problemet e vazhdueshme në qarkun Shkodër dhe jo vetëm.
Sistemi i ndërtuar prej tyre bazohet në sensorë që matin në kohë reale nivelin e ujit. Në momentin kur ky nivel rritet mbi kufirin e sigurisë, sistemi aktivizon menjëherë sinjale alarmi, duke paralajmëruar për rrezikun dhe duke krijuar mundësi për reagim të shpejtë nga institucionet.
"Ne kemi krijuar këtë pajisje me tre sonda që vendosen në pusetë të lidhura me paketa elektrike. Kur rritet niveli jep sinjal dhe alarm se po rritet niveli i ujit”, tha Anxhelo Babani.
Duke paralajmëruar në kohë, ky projekt ofron mundës për të ndërhyrë shpejt dhe minimizuar dëmet që shkaktohen nga përmbytjet.
Komente











