MEMALIAJ- Edhe pse kanë kaluar më shumë se tre muaj nga reshjet intensive të dimrit, situata në fshatin Memaliaj mbetet ende problematike.

Tre familje vijojnë të jenë të izoluara, ndërsa disa banesa dhe rrugë të brendshme mbeten të dëmtuara nga rrëshqitjet e dherave.

Fshati Memaliaj shtrihet në kodrën mbi qytetin me të njëjtin emër, në një terren të paqëndrueshëm shtufor.

 “Tre ditë ka rënë shi pa pushim. U shkëput dheu dhe po të mos ishin këto hekura që kisha vendosur, do kisha ikur me gjithë shtëpi poshtë në përrua.”

“Më ka rënë muri i shtëpisë, edhe komshiut gjithashtu. Rruga është gati për t’u shembur”, thanë banorët.

Rrëshqitjet kanë lene ne izolim lagjen e sipërme të fshatit.

 “Kanë ardhur nga bashkia si dhe prefekti me deputetin. Na kanë thënë se do të shikohet mundesia per një fond nga qeveria”,  theksoi një i moshuar.

Bashkia Memaliaj thotë se nuk ka fonde për të përballuar dëmet, ndaj kerkon mbështetje nga Qeveria dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për rehabilitimin e rrugëve dhe stabilizimin e terrenit.

“Brenda mundësive tona kemi ndërhyrë në kohen e emergjencës, kemi hapur rrugë dhe kemi ndihmuar banorët. Por dëmet janë të mëdha dhe kërkojnë ndërhyrje të plotë në infrastructure. Bashkia nuk i përballon dot këto ndërhyrje”, u shpreh Florian Çela, nënkryetar i Bashkisë Memaliaj.

Sipas të dhënave të Bashkisë, rezultojnë 6 banesa te demtuara, jashtë funksionit në fshatrat Memaliaj, Vasjar dhe Kallëm, ndërsa disa akse rurale mbeten ende te pakalueshme.

Familjet e pastreha janë sistemuar në banesa me qira derisa janë në pritje të rindërtimit.