LEZHË- Edhe pse prej dy ditësh një video e pazakontë po qarkullonte në media në lidhje me një ngjarje të ndodhur 7 ditë më parë ku disa të armatosur dhe të maskuar futen në një lokal dhe kryejnë kontroll klientëve, blutë e Lezhës kanë reaguar sot, pas një jave për këtë ngjarje të rëndë. E gjithë skena e frikshme ka ndodhur në një lokal në Zejmen.

Tre të armatosurit, të cilët ende nuk janë identifikuar, i kanë shkuar pronarit të lokalit 25-vjeçarit, Ani Kola, që siç duket për ta vrarë, më datë 13 nëntor, pasi kishin pasur një konflikt me këtë të fundit. 25-vjeçari, i cili është shpallur në kërkim, nuk ishte i pranishëm në ato momente në lokal, gjë që shmangu edhe ndonjë vrasje të mundshme.

Ndërkaq policia ka shpallur në kërkim edhe tre të rinj të tjerë, shtetasit F.B., 26 vjeç, M.V.,29 vjeç dhe I.A., 34 vjeç, banues në fshatin Pllanë, Lezhë, të cilët ndodheshin klientë në lokal, për vepren penale "Moskallëzim i krimit ", kryer në bashkëpunim. Ky reagim i policisë së shtetit, për një situata kaq të paprecedentë, vjen pas dy ditësh që video me tre personat e armatosur po qarkullonte në media.

Nga pamjet vërehet se 3 personat e armatosur kërcënuan klientët që ishin në një tavolinë dhe u kërkuan mjetet e identifikimit. Pasi shohin identitetin e tyre personat e maskuar dhe të armatosur dalin nga lokali dhe largohen. Ndërkohë policia e Lezhës thotë se nuk ka pasur asnjë denoncim për rastin dhe shton se ato nuk kanë vjedhur apo grabitur asgjë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:15
U futën të armatosur në lokalin në Lezhë, reagon policia: Kishin konflikt me pronarin, shpallen në kërkim 4 persona

Në lidhje me një video të publikuar në media dhe rrjete sociale, ku shfaqeshin disa persona të armatosur në një lokal, në aksin e vjetër Lezhë-Milot, ju bëjmë me dije se:

Shërbimet e Policisë Lezhë, sapo janë vënë në dijeni kanë organizuar  punën për identifikimin e lokalit dhe personave që shfaqen në video.

Nga verifikimet e kryera, ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur më datën 13 nëntor 2021, në lokalin në pronësi të shtetasit A.K., në fshatin Zejmen dhe shtetasit që shfaqen në video, dyshohet se kanë pasur konflikt me pronarin e këtij lokali, i cili nuk ka qënë prezent.

Gjithashtu, bëjmë me dije opinionin publik se ngjarja nuk është raportuar në Polici, si dhe nga verifikimet ka rezultuar se nuk ka pasur vjedhje, as persona të dëmtuar. 

Në vijim të veprimeve, u bë e mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetasve :A.K. ,25 vjeç, banues në Zejmen, pronari i lokalit, F.B., 26 vjeç, M.V.,29 vjeç dhe I.A., 34 vjeç, banues në fshatin Pllanë, Lezhë, të cilët ndodheshin klientë në lokal, për vepren penale "Moskallëzim i krimit ", kryer në bashkëpunim.

Nën drejtimin e Prokurorisë Lezhë, vijon puna intensive për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje, identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë.

Ora 11:20
Videoja e Lezhës që po trondit rrjetin, reagon Salianji: Dorëzim i plotë i territorit në kontroll të bandave

1631804339_salianji.jpg

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguan mbi një video të publikuar në rrjetet sociale ku persona të armatosur deri në dhëmbë janë futur brenda një lokali, ku kanë kryer kontrolle ndaj disa të rinjve që po qëndronin aty dhe nuk dihet nëse ishin nisur për të vrarë apo jo.

Salianji thotë se është e turpshme që deri tani s'ka pasur asnjë masë, asnjë reagim nga autoritetet.

"Vrasjet mafioze, grabitjet me armë si ajo e raportuar dje, dhuna e çdo forme po shpërfaqet në çdo cep të territorit ndërkohë institucionet ligjzbatuese në rastin më të mirë janë inekzistente në rastin e keq drejtohen dhe komandohen nga bandat! Asnjë masë, asnjë reagim, dorëzim i plotë i territorit në kontroll të bandave dhe sot justifikimi i turpshëm i Ramës se ngjarje te tilla ndodhin dhe ne kemi gjendje te kriminalitetit mesatar!!! Kur vjedh zgjedhjet me bandat detyrohet dhe të behet zëdhënës i tyre", shkruan Salianji.