Ndryshimi i klimës ka krijuar dy ekstreme të temperaturave dhe motit në Itali. Veriu është në kolaps për shkak të erës dhe rrebesheve të shiut, ndërsa në jug dhe në ishuj situata paraqitet në një ekstrem tjetër, ku temperaturat e larta kanë shkaktuar zjarre dhe vatra aktive në shumë zona.
Në Itali janë shënuar tre viktima, si pasojë e motit të keq që ka përfshirë pjesën më të madhe të vendit në 24 orët e fundit.
Ekstremet e motit tanimë ndajnë një territor të përbashkët në dy situata aspak normale, në njërën anë stuhi ‘apokaliptike’ dhe nga ana tjetër zjarre masive nga temperaturat e larta.
Ornela Hila e ftuar në emisionin ‘Sot live në Shqipëri’, në një lidhje të drejtpërdrejtë me gazeatrin Nertil Agalliu, ka folur mbi situatën e pazakontë dhe emergjente në Itali.
“Situata e paprecedentë meteorologjikë është krijuar në 24 orët e fundit pothuajse në të gjithë gadishullin në Itali, aktualisht veriu është në kolaps për shkak të erës dhe rrebesheve të shiut ndërkohë që një situatë krejt tjetër vazhdon të jetë në jug dhe në ishuj, ku temperaturat e larta kanë shkaktuar probleme me zjarret. Ajo që specialistët thonë është se baza e këtyre ndryshime të motit lidhet me ndryshimet që po pëson klima, e dukshme kjo jo vetëm në 24 orët e fundit. Italia po përballet me ngjarje aspak normale që prej fundit të prillit dhe fillimit të majit, si në rastin e përmbytjeve që pushtuan rajonin e Emilia-Romana. Nga monitorimi që kam bërë gjatë paradites, në shumë zona të prekura nga era e fortë shënohen dëme të shumta, duke e bërë situatën emergjente.”
Viktimat e motit ekstrem të shënuar deri më tani janë një 16-vjeçare, e cila vdiq pasi një pemë u rrëzua mbi të, një grua 88-vjeçare në zonën e Palermos dhe një tjetër 16-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë pasi është goditur nga një degë në Verona.
Në Lombardi, stuhitë po shkatërrojnë rajonin, në Milano, ndërsa në jug është e kundërta, deri në orën 11:00, aeroporti Falcone - Borsellino në Palermo ishte i mbyllur për shkak të flakëve në malet përreth.