Tregtarët ambulantë nxjerrin jashtë loje shitësit e tregut të cilët paguajnë taksa dhe janë të future në vendet e përcaktuara.

Sipas kryetarit të shoqatës së tregtarëve shqetësimi është ngritur disa here, por nuk ka gjetur zgjidhje.

Vazhdon të jetë problem rritja e numrit të tregtarëve ambulant të palinçensuar, që shesin në hyrje të tregut të fshatarëve, por edhe përgjatë rrugës së tregut në Durrës.

Me ardhjen e festave të fundvitit numri i tyre është rritur duke shkaktuar konkurrencën, si dhe vështirëson kalimin e qytetarëve, teksa rëndohet edhe trafiku. Interesant është fakti se ka edhe disa shitës që paguajnë rregullisht taksa, por dalin në rrugë të hapur me motivin se shesin më tepër edhe pse kanë vendin e tyre në treg.

Kryetari i shoqatës së tregtarëve Agron Haskasa, shprehet se e ka ngritur disa herë këtë problem, por nuk ka gjetur zgjidhje.

“Na i ndaluan për disa kohë, pas një jave i liruan përsëri, policia bashkiake i bënë të gjitha këto gjëra deri sa erdhi momenti që tregtarët janë ende nëpër rrugë, nuk duan të rrinë këtu brenda ndërkohë kjo gjë i pëlqen policisë bashkiake,” thotë Agron Haskasa.

Nga ana tjetër shitësit ambulant, duke pranuar se po shkelin ligjin theksojnë, se janë të detyruar të shesin në rrugë.

“Unë e kamë vendin brenda në treg madje kam 5 vjet që shesh aty, mallin siç e marrim ashtu e hedhim në plehra, kalben se nuk ka punë sepse plasmani i markatës së madhe dhe hekurat pengojnë pamjen, ata marrin klientët tanë prandaj jemi të detyruar të dalim për të shitur në rrugë,”shpjegon tregtarja ambulante.

Tregut të fshatarëve i është i shtuar edhe një ambienti i ri, por pjesa ndarëse është e bllokuar nga fillimi në fund.

Kjo ka bërë që shitësit ambulantë të dalin në rrugë të hapur, pasi kjo pjesë nuk frekuentohet nga blerësit.

Redaksia Online
Xh.F/Shqiptarja.com