Tregtarët e 'Dinamo' në 'Urbanika':
Po na hoqën, vendosemi te bashkia

Tregtarët e 'Dinamo' në 'Urbanika':<br />Po na hoqën, vendosemi te bashkia
Në emisionin “Urbanika” sot në mbrëmje u diskutua mbi tregun ushqimor të uzinës “Dinamo”. Duhet zhvendosur apo jo dhe kush fiton apo humbet nga kjo? Të ftuar: Alfred Bozhiqi, kryetar i Shoqatës së Mbrojtjes së Konsumatorit, Ilia Jonopullo - kryetar i Shoqatës së Tregtarëve të Fruta-Perimeve; Ymer Elezi - ekspert i Sigurisë Ushqimore dhe
Theothor Elezi, ekspert i Sigurisë Ushqimore.

"E mira është që tregu të jetë aty ku është, se qytetarët përdorin në këmbë apo me urbanin e Unazës. Me ndryshimin e vendosjes, qytetarët nuk do shkojnë dot në Kashar, por në markete që kanë çmime më të larta. Duhet gjetur një mekanizëm, që të popullohet ai treg i ri", thanë ekspertët.

Ata ngritën pyetjen: Nga anon peshorja nga bizneset apo konsumatorët në fuksion të rriskut apo kostos financiare? "Strukturat e shtetit të bëjnë analizë rrisku në analiza komplekse tregu, me grafikim gjithë tregtarëve për produkete me origjinë shtazore dhe bujqësore. S’duhet të ketë produkte pa dokumentacion zyrtar. Aty nuk janë vetëm problemet e higjienës, por komplekse. Nuk mund të gjykosh dhe mbyllësh një treg për një problem", u përgjigj eksperti i Sigurisë Ushqimore, Ymer Elezi.

Ai shtoi se "nuk mund të gjykosh dhe mbyllësh një treg për një problem si higjiena, pasi nuk mund të shkatërrosh një shtëpi, se ka probleme një dhomë". Sipas tij, duhet një studim për tregjet nga gjithë strukturat shtetërore.

"Ke leje mjedisore, higjieno-sanitare për atë treg? Në fakt ka ushqime të kontaminuara. Edhe treg me këpucë gabi", ka ndërhyrë Ilia Jonopullo, duke shtuar se "me tregun e ri në Kashar përfiton Tirana, përfiton trafiku, zhbllokohet një nga arteriet kryesore, unaza e Tiranës, pakësohet zhurma, ndotja e mjedisit".
 
Ndërsa Alfred Bozhiqi, kryetar i Shoqatës së Mbrojtjes së Konsumatorit u shpreh se "segmente të caktuara duan ta heqin tregun e uzinës "Dinamo". "Fakti që zoti Ilia Jonopullo - kryetar i Shoqatës së Tregtarëve të Fruta-Perimeve - dinte të gjithë inspektimet tona, tregon se kemi konkurrencë të pandershme. Ai tha që i kam njoftuar. Ku e ka dokumentin? Me ç’të drejtë ndërhyni ku do shkojë njëri apo tjetri treg? Pse u larguat nga një treg dhe shkoni në një tjetër?", tha Bozhiqi.

"Një treg nuk mund të mbyllet, sepse hapja apo mbyllja ka të bëjë me vendime të Këshillit Bashkiak, jo sipas qejfit", tha Bozhiqi, duke falenderuar më pas kryebashkiakun Basha pasi, "kemi propozuar tregje të reja policentrike dhe Basha na ka mbështetur", shtoi Bozhiqi.

"Pse goditet Dinamo? Është tregu në rrugë? Pse s’e merr njeri atë treg? Ne kemi ujë, banjo, infrastrukturën e kemi. Nuk është më ajo Dinamo që ka qenë. Falë jush, se na keni tundur një çikë. Dhe këtë do ta kemi të nevojshme. Ne do shkojmë drejt përmirësimit. Pse bllokon 60 mijë metra katrorë?! Heqja e tregut të Lanës është bërë me konsensusin e të gjithëve", kujtoi Ilia Jonopullo - kryetar i Shoqatës së Tregtarëve të Fruta-Perimeve.

"Konsumatori mbrohet më mirë te tregu Dinamo, se bën investime të vazhdueshme, përparon, zbukurohet edhe standardet e tij higjieno-sanitare rriten.Dinamo do ta përmbushë objektivin; treg i besueshëm dhe funksional. Uroj që tregu i ri, që është ndërtuar të popullohet dhe të gjendet një rrugë, që ai të vihet në funksion, se rritet konkurrenca, shtimi  produktit bujqësor në Tiranë dhe mundësia e zgjedhjeve të konsumatorit, i cili ka dy tregje": ishte emëruesi i përbashkët i tre të ftuarve, ku ai që kundërshtoi këtë ishte Ilia Jonupollo: "Që të fitojë konsumatori duhet që tregu të vijë atje në Kashar. Duke qenë tregu te Dinamo, konsumatori del dora e tretë, pasi kalon nga tregu i shumicës te minimarket", theksoi ai.

TREGTARËT: NËSE NA HEQIN, NA KANË TE DERA E BASHKISË
Tregtarët e pyetur live nga tregu i Uzinës Dinamo u shprehën në mikrofonin e "A1 Report: se me funksionimin e tregut duan të mbrojnë bukën e familjeve të tyre. Tregtari Mersen Gazdeda u shpreh se "po të shkojë deri te tregu i ri në Kashar i nevojiten 20 mijë lekë për transport. Nëse shkoj atje transporti ma shton çmimin e produkteve, nga 500 lekë në 150 lekë. Janë 600 biznese dhe 5000 vetë që ushqehen me këtë treg. Të bëjë mirë llogaritë bashkia. Se bën 20 mijë vetë për interes të dikujt tjetër që ka hapur biznes në Kashar".
 
"Ne do vijojmë aktivitetin në rrugë para bashkisë. Basha të mbajë premtimin, se do dëgjojë zërin e qytetarit. Zëri i qytetarit është ky: Të mos lëvizë tregu i uzinës Dinamo! Tregu ka bërë ndryshime për nga pastërtia. Jemi të vdekur. Mbajmë familjet. Bashkia na ka te dera", shton një tregtar tjetër.

"Meqë bëhet një treg i ri të tjerat nuk duhet të mbyllen. Tirana është e madhe dhe ka nevojë për disa tregje. Ky treg është shumë funksional. Kushtet janë përmirësuar. Jemi taksapagues të rregullt", thotë një tregtare tjetër.

"Flitet për higjienën. Është krejt e kundërta. Ndryshimi këtu është nga dita në ditë. Pastrueset i ke fshesë në dorë. Nuk gjen një letër poshtë. Jemi me licenca, i kemi me sigurime punonjësit të gjithë. Ka qytetarë nga Sauku, nga uzina Traktori. Shkurtojnë kohë. Është treg i kompletuar. Aty merr fruta-perime, mishin, bulmetin, ka dhe kafe rreth e rrotull. Të shohin spitalet që i kanë kthyer në kafene", thotë një tjetër tregtar. Ai shton se "inspektorët pas kontrolleve nuk na kanë thënë se ka probleme dhe mbyllni aktivitetin. Ky problem doli papritur".

"Nuk e pengojnë trafikun e Tiranës 5 kamionë, pasi në gjithë botën natën punojnë makinat. Natën njerëzit flenë gjumë. Ne ishim nja 3-4 muaj te tregi i ri. Lamë ca para aty dhe s’kemi ndërmend të lëmë prapë. Është shumë krizë. Është kosto të shkosh deri atje. Këtu me një biçikletë mbaron punë. Janë gjëra të papëlqyeshme këto që bëhen. Nëse mbyllet "Dinamo" do ta lë këtë biznes dhe do merrem më diçka tjetër", është fjala e një tregtari.

PSE NUK U EKZEKUTUA MBYLLJA QË NË 24 PRILL 2013, KUR DOLI VENDIMI?
Për mbylljen e tregut pati një vendim që mbante datën 24 prill 2013 dhe e dispononte "Urbanika". "Ishte e pamundur të ekzekutohej, se është lëshuar nga drejtoria e shëndetit publik dhe inspektoriati i shëndetit publik. Ai vendim nuk ka fuqi vepruese. Pasi aty janë lënë disa detyra. Gjatë kësaj kohe ka ardhur policia bashkiake, AMK dhe është parë nëse janë kryer detyrat. Ka një proces-verbal që është bërë kjo kjo në kapanonin A është lënë B. Kjo vonoi mbylljen e tregut", shpjegoi Bozhiqi.

"Mbyllja u evitua falë punë së mirë që bënë tregtarët. Nuk flitet në asnjë vend në proces-verbal për mbyllje totale të tregut “Dinamo”. Për s’ka lavanë, që në vazhdimësi u vendosën. Ne jemi jo vetëm tregtarë, por dhe konsumatorë, blejmë aty", shtoi më tej ai.
Redaksia online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet të lejohet mjeku të punojë njëkohësisht në spital publik e privat?



×

Lajmi i fundit

Fabio Capello 'shigjeton' Spallettin: Shumë konfuzion, tjetër gjë të bësh trajnerin e Italisë! Më vjen turp

Fabio Capello 'shigjeton' Spallettin: Shumë konfuzion, tjetër gjë të bësh trajnerin e Italisë! Më vjen turp