Tregtarët e tregut maqedonas në Korçë protestuan këtë të premte përpara Bashkisë, duke ngritur shqetësimin për vendimin e ri që i detyron të ndryshojnë tendat e dyqaneve sipas një projekti të unifikuar.
Ata shprehen se janë njoftuar nga Policia Bashkiake se duhet të heqin tendat ekzistuese dhe të vendosin të reja, të kuqe dhe sipas modelit të përcaktuar nga Bashkia, ndërsa afati i fundit është data 19 maj.
“Na kanë thënë që duhet ti heqim çfarë kemi jashtë, do të vendosin tenda të kuqe, sepse ka ardhur urdhëri nga lart. ne duam që të na sqarojnë. Unë paguaj qiranë, sigurimet, taksat dhe nuk na mbete asgjë”, tha një tregtare.
Protestuesit thonë se nuk janë kundër përmirësimit estetik të tregut, por kundërshtojnë faktin që e gjithë barra financiare t’u kalojë atyre në një periudhë të vështirë ekonomike.
“Ne nuk kemi lekë për t’i vendosur këto tenda. Mezi po nxjerrim bukën e gojës. Bashkia nëse ka të ardhura le ti bëjë vetë. Na thonë që do na vendosin gjoba”, tha një tjetër.
Ata theksojnë gjithashtu se prej muajsh përballen me urdhra të ndryshëm dhe shpesh kontradiktorë lidhur me mënyrën e organizimit të tregut dhe nxjerrjen e mallrave jashtë ambienteve të dyqaneve.
“Jam tregtar prej 20 vitesh. Nëse bashkia do t’i paguajë me fondet e veta jemi dakord. Na kanë lënë afat deri në 19 maj. Çdo muaj merren vendime të reja”, shtoi një tregtar.
Sipas tyre, Bashkia duhet ose të financojë vetë projektin e tendave, ose të gjejë një zgjidhje më të përballueshme për bizneset e vogla që po përballen me ulje të shitjeve dhe rritje të shpenzimeve.
Kjo është protesta e dytë brenda një muaji për tregtarët e tregut maqedonas, të cilët kërkojnë takim dhe sqarime nga drejtuesit e Bashkisë së Korçës për vendimet e marra.
Komente








