Tregtia e jashtme/ Mineralet dhe energjia rigjallërojnë eksportin, rritje 18.3% si 6-mujor

Tregtia e jashtme/ Mineralet dhe energjia rigjallërojnë eksportin, rritje 18.3% si 6-mujor

Foto ilustruese

Shitjet e mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë i janë rikthyer tendencës pozitive, pas dy vitesh performance të dobët, duke ndikuar direkt në rritjen e gjithë eksporteve gjatë gjashtë muajve të parë të vitit. Sipas INSTAT-it, eksportet e këtij grupi u rritën me 34% me bazë vjetore për 6-mujorin, duke arritur në 30.7 miliardë lekë dhe duke kaluar sërish në grupmallin e dytë më të eksportuar në vend. Bankers Petroleum, eksportuesi më i madh në vend, që shfrytëzon me koncesion fushën naftëmbajtëse më të madhe mbi tokë, atë të Patos Marinzës, ka rritur ndjeshëm eksportet si rrjedhojë e konjukturës më të favorshme ndërkombëtare dhe mbylljes së rafinerisë ARMO, të cilës i shiste gjysmën e prodhimit gjatë vitit të kaluar. Një tjetër faktor që ka ndikuar në këtë grup është edhe ringjallja e industrisë minerare, e cila është para një hovi të ri prej investimeve të reja, me rreth 25 milionë euro në sektorin e përpunimit, me dy linja të reja nga AlbChrome në Bulqizë dhe Tete Albania në Spaç, që pritet të rrisin dukshëm vlerën e eksporteve në fund të këtij viti dhe gjatë 2019.

Pozitivisht në muajt e parë të vitit ka ndikuar dhe eksporti i energjisë si rrjedhojë e situatës së favorshme me reshje, që i mundësoi KESH të shtonte të ardhurat, por dhe ishte një nga faktorët kryesorë që ndikoi në rritjen ekonomike në tre muajt e parë të këtij viti.

Eksporti

Në 6 muajt e parë të këtij viti, kompanitë shqiptarë shitën jashtë vendit 158 miliardë lekë mallra, me një rritje prej 18.3% me bazë vjetore. Vetëm në qershor, zgjerimi i eksporteve ishte 17.8%.

Shitjet jashtë vendit të “tekstileve dhe këpucëve”, grupi më i madh i eksportuar në vend, arritën në 63.3 miliardë lekë, me një zgjerim vjetor prej 9.3% për 6 mujorin e parë të vitit. Por, sektori ka ndalur rritjen, teksa në qershor eksportet e këtij grupi u zgjeruan me më pak se 4%, ritmi më i ulët që prej shumë muajsh, teksa deri pak kohë më parë ritmet e rritjes ishin dyshifrore. Eksportuesit e tekstileve e këpucëve janë ankuar vazhdimisht për efektin negativ që po vjen nga zhvlerësimi i euros, që aktualisht është stabilizuar në 126 lekë, nga 134 lekë që ishte mesatarja e vitit të kaluar dhe rreth 139-140 lekë që këmbehej mesatarisht në periudhën 2010 - gjysma e parë 2016. Megjithatë, ky sektor vijon t’i gëzohet një kërkese të lartë nga partnerët e huaj.

Grupi i tretë më i madh i eksporteve “materiale ndërtimi dhe metale” ka vijuar me tendencën pozitive, i ndikuar nga riaktivizimi i kompanisë së prodhimit të çelikut, Kurum, tek e cila ka funksionuar procesi i falimentit për efekt ristrukturimi, i nisur në mars 2016. Tashmë kompania, sipas burimeve të saj po shlyen normalisht kreditë dhe u është rikthyer tregjeve të huaja, teksa më shumë se gjysma e prodhimit po eksportohet, ku vendin kryesor e zë Kosova, ndjekur nga Mali i Zi, Maqedonia e më pak në Serbi. Eksportet e këtij grupi arritën në 27 miliardë lekë, me një rritje prej 28.6%.

Kurse eksportet e grupit “ushqime, pije e duhan” u rritën me 14.9% duke arritur në 15.6 miliardë lekë.

Pozitive ka qenë dhe ecuria e grupit “makineri, pajisje e pjesë këmbimi”, që u rrit me 20.7%, për të arritur në 8.4 miliardë lekë për 6-mujorin.

Tregtia

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE zënë 68%, të gjithë tregtisë. Në Qershor 2018, eksprtet drejt vendeve të BE-së zënë 76.3% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 63.9% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (35.6%), Greqia (8.3%), Gjermania (6.2%) dhe Turqia (6.1%).

Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018 importet e mallrave arritën vlerën 309 mld lekë, duke u rritur me 4.7%, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 151 mld lekë, duke u ulur me 6.6%, krahasuar me 2017-ën.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Karambolohen dy autoveturat në Korçë-Pogradec, plagosen 2 pasagjerët

Karambolohen dy autoveturat në Korçë-Pogradec, plagosen 2 pasagjerët