DURRES - Vazhdojnë inspektimet e Task-Force për tregtimin e paligjshëm të mishit dhe nënprodukteve të tij. Deri tani janë inspektuar 1 mijë e 400 subjekte në të gjithë vendin, nga rreth 40 grupe Task-Force që janë krijuar.

Task-Force e qytetit të Durrësit, ka ndërmarrë ditën e sotme një aksion përgjatë aksit rrugor Fushë-Krujë-Thumanë.

Sipas drejtorit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Durrës, në këtë qark janë inspektuar rreth 110 subjekte, ku në rreth 70 prej tyre është lëshuar akti i bllokimit, ndërsa për pjesën tjetër janë vendosur detyra për përmirësimin e kushteve higjienike.

“Puna jonë e sotme është si rezultat i vazhdimit të punës së Task-Forcës për ndalimin e therjes së kafshëve dhe tregtimin e mishin në kundërshtim me Aktin Normativ. Ashtu si sot, ne do të vazhdojmë pa ndërprerje për të treguar se toleranca në zbatimin e Aktit Normativ do të jetë zero”, u shpreh Gëzim Ylli, drejtor i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Durrës.

(eç/shqiptarja.com)