Tregtia, Kosova: Do marrim
masa ndaj Shqiperise

Tregtia, Kosova: Do marrim <br />masa ndaj Shqiperise
Prishtinë, 20 mars – Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, u ka çuar selam Maqedonisë e Shqipërisë se Qeveria e Kosovës nuk do të rrijë duarkryq në rastet kur ato po vendosin barriera tarifore e jotarifore për prodhimet kosovare. Ajo ka paralajmëruar se do të përdorë masa të njëjta edhe për prodhuesit e vendeve që po i pengojnë eksportet e Kosovës.

“Me politikën të cilën janë duke e udhëhequr po na shtyjnë që edhe ne të aplikojmë masat adekuate edhe ndaj prodhuesve të tyre”, ka thënë Kusari-Lila.

Derisa çështja e bllokadës që Maqedonia ua ka bërë prodhimeve kosovare, kryesisht industrisë së pijeve, duket se ka gjetur një zgjidhje të shpejtë, ajo e Shqipërisë po vazhdon tash e disa muaj.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës pas konsullatave me autoritetet maqedonase ka nisur të lëshojë certifikatat e kërkuara nga ky shtet, që rrjedhimisht do t’u hapë rrugë eksportimit të pijeve kosovare për në Maqedoni.

Me gjithë premtimet e shumta dhënë nga udhëheqësit e qeverive të dy vendeve, patatet e prodhuara në Kosovë po vazhdojnë të jenë jokonkurrente në Shqipëri për shkak të çmimit të referencës që po e aplikon ky shtet.

Shqipëria tash e një kohë të gjatë është duke aplikuar çmimin referent për patatet e prodhuara në Kosovë. Aplikimi i këtij çmimi bën që prodhuesit kosovare i bën jokonkurrentë me prodhuesit e Shqipërisë.

Ministrja ka thënë se kanë pasur një kërkesë nga kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili ka premtuar që aplikimi i çmimit referent për patatet do të zvogëlohet në masë të madhe për Kosovën, krahasuar me shtetet e tjera. Por me gjithë premtimet, Qeveria e Shqipërisë po vazhdon të aplikojë çmimin referent.

“Kjo situatë vazhdon, po vazhdon edhe sot. Kemi pasur një kërkesë për kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha. Ai na ka premtuar që aplikimi i çmimit referent për patatet do të zvogëlohet në masë të madhe për Kosovën, krahasuar me shtetet e tjera. Por tani kemi ardhur në një situatë kur pas tre muajve çmimet e referencës jo që nuk janë hequr, por ato janë ngritur”, ka thënë zëvendëskryeministrja e Kosovës, Kusari-Lila.

Qeveria e Kosovës mund të paraqesë Shqipërinë në CEFTA për shkelje në aplikimin e çmimit të referencës për patatet. Këtë mundësi ministrja e ka përmendur pasi Qeveria e Shqipërisë po vazhdon të aplikojë çmim të referencës për patatet e prodhuara në Kosovë.

“Por kjo çështje do të ngrihet edhe në instancat më të larta rajonale pasi kjo çështje po përsëritet. Ata në vazhdimësi po thonë se kjo çështje është zgjidhur e në fakt në vazhdimësi po përsëritet”, ka thënë zëvendëskryeministrja e Kosovës.

Por përveç paraqitjes në instancat më të larta rajonale, ministrja e Tregtisë ka përmendur edhe mundësinë që Kosova të vendosë çmime të referencës për prodhimet e Shqipërisë. Ajo ka thënë se tashmë e kanë marrë listën e prodhimeve të Shqipërisë dhe se janë në kontakt me shoqatat për të parë nëse ato kanë ndonjë kërkesë për mbrojtje nga prodhimet e Shqipërisë.

Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit ka marrë vendim që të nisë të lëshojë një certifikatë për procesin industrial, e cila do t’u mundësojë kompanive vendore t’i eksportojnë prodhimet kosovare në Maqedoni.

Valdet Gjinovci, kryeshef i Agjencisë se Ushqimit dhe Veterinës, ka thënë se lëshimi i kësaj certifikata për cilësinë është bërë pas konsultave që kanë pasur me autoritetet maqedonase. Kjo certifikatë e lëshuar do t’u mundësojë kosovarëve t’i eksportojnë prodhimet e tyre në Maqedoni.

Por kjo certifikatë është kërkuar edhe nga Gjermania për lëngjet e prodhuara në Kosovë. Sipas ministres, do të shikohet nëse e njëjta certifikatë për procesin industrial do të vlejë edhe për vendet e BE-së.

Gjinovci ka thënë se kjo certifikatë do të përdoret edhe për Gjermaninë, mirëpo, siç ka thënë ai, është mbetur që të kontaktohet me këto autoritete se çfarë kërkesash kanë saktësisht.

Tejkalimin e bllokadës me Maqedoninë e ka konfirmuar edhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari- Lila, e cila ka thënë se përmes një vendimi të përkohshëm, AVUK ka nisur të lëshojë këtë certifikatë e cila do t’i hapë rrugë eksportit për në Maqedoni.
(sg/kohaditore/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Chelsea fiton me katër gola, tri pikë edhe për Fiorentinën! Në Gjermani gjykojnë arbitrat nga Shqipëria

Conference League/ Chelsea fiton me katër gola, tri pikë edhe për Fiorentinën! Në Gjermani gjykojnë arbitrat nga Shqipëria