Tregtia, në maj bashkimi
i sistemit doganor Shqipëri-Kosovë

Tregtia, në maj bashkimi <br />i sistemit doganor Shqipëri-Kosovë
TIRANE - Në muajin maj të këtij viti pritet që sistemi doganor mes Shqipërisë dhe Kosovës të njësohet, gjë që do të lehtësonte procedurat e tregtisë për biznesin. Bashkëpunimi ekonomiko- tregtar mes dy vendeve ka qenë qëllimi i një takimi organizuar dje nga Ambasada e Kosovës në Tiranë, ku janë diskutuar të gjitha problemet që ka hasur kohët e fundit biznesi i të dy vendeve.

Krerët e dy administratave doganore premtuan heqjen e të gjitha barrierave dhe përmirësimin e performancës së tyre në shërbim të biznesit. Gjatë kohëve të fundit kishte nisur një “luftë tregtare” mes autoriteteve të dy vendeve, që shprehej në bllokime reciproke të mallrave të ndryshme.

Autoritetet kosovare vendosën pak kohë më parë një taksë të lartë doganore për çimenton e prodhuar në Shqipëri, pasi vendi ynë taksoi vazhdimisht hyrjen e patates kosovare. Më pas, në tregun e Kosovës u bllokua një sasi e konsiderueshme e qumështit nga Shqipëria me arsyetimin se përmbante normë të lartë aflatoksine.

Ndërsa vetëm rreth dy javë më parë autoritetet shqiptare bllokuan dhjetëra ton miell nga Kosova. Procedura e njëjtë doganore mes dy vendeve ka qenë një kërkesë e përhershme e biznesit, çka do të rriste edhe shkëmbimet tregtare që janë ende në nivele minimale.

Dje kreu i “Aleancës për Biznes” nga Kosova, Agim Shahini, u shpreh për median në Tiramë se heqja e barrierave për prodhimet kosovare do të rriste shkëmbimet tregtare mes dy vendeve, si dhe do të unifikonte tregun.

Sipas Shahinit, biznesi duhet t’u nënshtrohet të gjitha rregullave dhe bazës ligjore të dy vendeve. Por, ai shtoi se duhet edhe një trajtim i barabartë për të gjitha kompanitë.

Marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës janë bërë objekt i diskutimeve në forume dhe tryeza të ndryshme. Gjatë dy muajve të parë të vitit Shqipëria ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë 1.7 miliardë lekë, ndërsa importet kanë qenë 734 milionë lekë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 12.04.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

 Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset

Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset