VLORE- Policia e Vlorës gjatë operacionit të koduar “Porosia”, ka bërë të mundur arrestimin e Gramoz Bilbil Kalemaj, 56 vjeç, Aleksandër Bilbil Kalemaj, 58 vjeç dhe 25 vjeçarit Detjon Namik Dapaj, të tre banues në Vlorë.

Arrestimi erdhi pasi nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin përshtatur një magazinë e cila ndodhej në lagjen “29 Nëntori” në Vlorë, brenda së cilës në mënyrë artizanale prodhonin sasi të konsiderueshme dhe të ndryshme pijesh alkolike, si konjak, uzo, raki verë etj., të cilën e ambalazhonin në shishe, i vendosnin etiketa me mbishkrimin e subjektit “KALEMI” dhe më pas e tregtonin në qytet.

Këtë veprimtari ekonomike këta shtetas dyshohet se e kryenin në mënyrë të paligjshme pasi nuk ishin pajisur me dokumentacion përkatës, si dhe nuk paguanin detyrimet financiare.

Sipas të dhënave të policisë Gramoz Kalemaj ka qenë i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi i kundërligjshëm i mallrave ushqimore dhe industrialë”.

(eç/shqiptarja.com)