140 të rinj, dhe jo vetëm, janë certifikuar sot pranë Qendrës së Formimit Profesional në Elbasan, duke u bërë kështu profesionistë të aftë për tregun e punës. Janë 140 persona tashmë të cilët ndihen të gatshëm profesionalisht për t’u përballur me sfidat dhe kërkesat e një tregu gjithnjë e në rritje. Të pranishëm në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast ishin Kryetari i Grupit Parlamentar Taulant Balla, Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini, deputetët e specialistë të arsimit profesional. Kryetari i Grupit Parlamentar Balla theksoi rëndësinë e zhvillimit të arsimit profesional, si një prej motorëve kryesorë të zhvillimit të një vendi.
Ne duhet ta promovojmë sa më shumë këtë shkollë. Sot marrin diplomat e përgatitjes profesionale djem e vajza të cilët janë të gatshëm të hyjnë në tregun e punës në disa profesione. Dje prita në zyrë, përfaqësues të konfindustrisë së Milanos të cilët janë shumë të interesuar të zhvillojnë një bashkëpunim me shkollën profesionale të Elbasanit përsa i përket industrisë tekstile dhe asaj të modës, po të kemi parasysh se çfarë përfaqëson konfindustria e Milanos përsa i përket modës në Itali. Unë jam shpresëplotë që shumë shpejt do të arrijmë të konkretizojmë këtë marrëveshje.
Jo pa qëllim ne disa muaj më parë nisëm një komunikim me njerëzit e thjeshtë e të zakonshëm të këtij vendi përsa i përket profesionalizimit të njerëzve në sektorët ku ka nevojë. Arsimi profesional është një prej motorëve të zhvillimit të vendeve, sikurse, nuk nguroj ta quaj, vendi më i zhvilluar sot në Europë është Gjermania. Ne kemi filluar të bëjmë një reformë rrënjësore në sistemin e arsimit profesional, nuk jemi ende atje ku duhet, por sigurisht nuk jemi atje ku ishim një vit më parë
Taulant Balla
Deputetja Evis Kushi u kërkoi të rinjve që t’i shfrytëzojnë certifikimet e tyre profesionale dhe të aplikojnë për vende pune pasi vetëm kështu do të mund të gjejnë një punë. Të rinjtë e diplomuar sot pranë drejtorisë rajonale të arsimit profesional morën drejtime të ndryshme si kulinari, rrobaqepësi, gjuhë të huaja, mekanik, hidraulik elektricist etj.