Tregu i shtëpive në rënie, bankat
lehtësojnë kreditë për individët

Tregu i shtëpive në rënie, bankat<br />lehtësojnë kreditë për individët
TIRANE - Po bie gradualisht kërkesa për të blerë banesë. Kjo pasqyrohet në rënien e vazhdueshme të konsumit, si dhe të kërkesës për të marrë financim në formë kredie nga bankat. Kjo del nga raporti më i fundit i Bankës qendrore për aktivitetin kreditues.

Shqiptarët po kërkojnë më pak kredi nga bankat për të blerë shtëpi dhe për qëllime konsumi, ndaj këto të fundit kanë liruar disi kërkesat ndaj klientëve. Kushtet e kredisë për individë për të blerë shtëpi rezulton të jenë lehtësuar disi gjatë tremujorit të parë të vitit 2013, pasi kishin mbetur të pandryshuara për një periudhë prej tre tremujorësh, bëhet e ditur në raportin e fundit të Bankës së Shqipërisë për vrojtimin e standardeve të kredisë bankare për bizneset dhe konsumatorët.

Faktorët që kanë dhënë kontribut në kahun lehtësues të standardeve të kredisë dhënë individëve janë: niveli aktual ose i pritshëm i likuiditetit të bankës, konkurrenca në sistemin bankar dhe vendimet e Bankës së Shqipërisë. Në të njëjtën kah ka ndikuar edhe mjaftueshmëria e kapitalit të bankës.

Prej rreth dy vitesh, ky faktor vlerësohet të mos ketë dhënë kontribut në ndryshimin e standardeve të kreditimit të individëve. Huatë me probleme, zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme dhe gjendja financiare e individëve kanë vijuar të kontribuojnë në kahun shtrëngues të standardeve të kredidhënies.

KONSUMI

Por, nga ana tjetër, bankat kanë shtrënguar standardet për kredinë konsumatore në tremujorin e parë të vitit 2013, pasi mbetën të pandryshuara për tre tremujorë radhazi. Balanca përkatëse shënoi vlerën ‐4.7%. Për tremujorin e dytë të vitit 2013, standardet e kredisë për individët pritet të jenë në kahun lehtësues, si për kredinë për blerje banese, ashtu dhe për atë me qëllim financimin e konsumit.

TARIFAT

Bankat rezulton se zbatuan një politikë lehtësuese të standardeve të kredidhënies për individë, nëpërmjet uljes së komisioneve të pagesave për kredinë e marrë, si dhe uljes së marzhit mesatar për kreditë. Gjithashtu, në tremujorin e parë të vitit 2013, si instrument për lehtësimin e standardeve u përdor dhe rritja e raportit këst ndaj të ardhurave.

Madhësia e kredisë dhe kërkesa për kolateral vijuan të ndikojnë në kahun shtrëngues të standardeve edhe pse në një masë relativisht më të ulët, krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

KËRKESA

Megjithatë, kërkesa e individëve për kredi ka vijuar të vlerësohet në rënie edhe në tremujorin e parë të vitit 2013. Përqindja neto e bankave që kanë vlerësuar negativisht kërkesën e individëve për kredi rezultoi 13.4%. Kërkesa ka vijuar të jetë në rënie, si për kreditë me qëllim blerje banese, ashtu dhe për kredinë me qëllim financimin e konsumit.

Balancat përkatëse kanë shënuar vlera negative në tremujorin e konsideruar. Nga ana tjetër, ekspertët e kredisë presin rritje të kërkesës për kredi të individëve në tremujorin e dytë të vitit 2013.

Ka ndikuar negativisht në nivelin e kërkesës për kredi të individëve edhe nevoja për financimin e konsumit. Nevoja e financimit të blerjes së banesës dhe vendimet e Bankës së Shqipërisë kanë ndikuar në kahun rritës në kërkesën për kredi të individëve.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 16.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë