TIRANE- INSIG, kompania shtetërore e sigurimeve, po hetohet nga Autoriteti i Konkurrencës për përfshirje në një marrëveshje të ndaluar për fiksim çmimesh në dëm të konsumatorëve shqiptarë.

E vetmja kompani shtetërore në tregun e sigurimeve, në vend që të krijonte kushtet për konkurrencë të ndershme, ka rënë vetë në një marrëveshje të paligjshme për të ndarë tregun me kompanitë e tjera. Në shkurt të këtij viti tregu u përball me një rritje të menjëhershme dhe uniforme të çmimeve për sigurimet e detyrueshme të mjeteve motorike.
Autoriteti vendosi hapjen e hetimit të thelluar në treg ndaj 8 kompanive, lista e të cilave fillon pikërisht me INSIG-un, kompaninë në pronësi të ministrisë së Financave. Kështu, pronari i INSIG-ut, qeveria shqiptare po hetohet aktualisht për shkelje të nenit 4 të Ligjit të Konkurrencës, për “marrëveshje kartel”, forma më e rëndë e shkeljes së konkurrencës, e cila në disa vende perëndimore konsiderohet madje vepër penale. Në listën e hetimit, përveç INSIG-ut, përfshihen të gjitha kompanitë e tjera të pranishme në treg.
Hetimi ndaj INSIG-ut përfshin drejtpërdrejt qeverinë, pasi, përveçse është një kompani në pronësi të saj, edhe bordi drejtues, që merret me politikën e çmimeve, drejtohet nga përfaqësuesit më të lartë të ministrisë së Financave. Fakti që qeveria është e dyshuar për përfshirje në një marrëveshje kartel përbën një precedent ndoshta në rang botëror. Hetimi teknik i Autoritetit ka përfunduar duke i përforcuar edhe më shumë dyshimet për shkelje.
Tashmë vendimi final i mbetet Komisionit të Konkurrencës dhe, nëse shkelja do të provohet, ky është një rast i pastër ku qeveria del kundër interesave të qytetarëve të saj, në vend që të dalë në mbrojtje të tyre, sikurse e parashikon Kushtetuta dhe kuadri ligjor në fuqi në Republikën e Shqipërisë.
(jd/shqiptarja.com)