Tregu i sigurimeve e përmirësoi rritjen gjatë vitit 2025. Sipas statistikave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), primet e shkruara bruto arritën vlerën e 27.1 miliardë lekëve, në rritje me 10.6% krahasuar me një vit më parë. Për vitin 2024, rritja e tregut kishte qenë më e ulët, në nivelin 7%.

Sipas vlerësimeve të AMF-së, tregu është rritur edhe në terma realë. Primet e shkruara bruto vlerësohen sa 1.03% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 0.97% që kishte qenë një vit më parë. Edhe primi i sigurimit për frymë u rrit për të pestin vit radhazi. Ky tregues, i shprehur ndryshe edhe si densiteti i sigurimeve në vend, arriti në 11463 lekë (rreth 119 euro), në rritje me 11.8% krahasuar me një vit më parë. Tregu i sigurimeve vazhdon të dominohet nga produktet e tregut të Jo-Jetës dhe kryesisht sigurimet e detyrueshme motorike.

Primet e shkruara bruto në sigurimin e jo-jetës arritën në pothuajse 24.7 miliardë lekë, në rritje me 9.9% krahasuar me një vit më parë. Ky segment vazhdon të jetë dominues, me 91% të primeve totale të tregut, por megjithatë pesha e tij pësoi një rënie të lehtë për të shtatin vit radhazi. Kjo i detyrohet një rritjeje në vazhdimësi më të lartë në tregun e sigurimit të Jetës.

Tregu i sigurimit të Jo-Jetës edhe për vitin 2025 u dominua nga sigurimet e detyrueshme motorike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta. Primet e shkruara bruto në këtë segment arritën në 16.9 miliardë lekë ose sa 68.6% e totalit të tregut. Sigurimi i brendshëm motorik TPL ngelet produkti më i madh i tregut, me 58% të primeve të shkruara bruto në sigurimin e Jo-Jetës. Vitin e kaluar hyri në fuqi sistemi i ri i llogaritjes së primeve mbi bazë rreziku, që ka ndikuar pjesërisht në rritjen e primeve të shkruara bruto nga ky produkt. Primet e sigurimit të brendshëm TPL u rritën me 13.3% krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë, produktet e sigurimit vullnetar në përgjithësi shfaqën një rritje më të ngadaltë edhe vitin e kaluar. Megjithatë, gjatë muajit dhjetor, produkti kryesor i sigurimit vullnetar, sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, shënoi një rritje të fortë, duke e përmirësuar ndjeshëm rritjen krahasuar me 11 muajt e parë të vitit. Primet e shkruara bruto për të gjithë 2025 u rritën me 10.25%, por pesha e këtij produkti në treg ngeli e ngjashme me vitin 2024.

Ndërkohë, tregu i sigurimit të Jetës edhe për 2025 shfaqi ritme rritjeje më të larta. Primet e shkruara bruto arritën në 2.44 miliardë lekë, në rritje me 17.6% krahasuar me një vit më parë. Tregu i sigurimit të Jetës ngelet i dominuar nga produkti i sigurimit të jetës së debitorit, i lidhur kryesisht me sigurimin e jetës për huatë e marra në institucionet financiare. Ky produkt u rrit me 15.4% vitin e kaluar dhe përbënte 77.5% të primeve të shkruara bruto të tregut./Monitor