Sigurimi i makinave mund të ndryshojë përsëri brenda këtij viti. Komisioni i Ekonomisë dhe Financave në mbledhjen e parë për 2025-ën vendosi të thërrasë në seancë dëgjimore Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare por edhe kompanitë e sigurimeve, pas shqetësimit të qytetarëve për shtrenjtim të sigurimit të makinave prej 1 janarit.
Ashtu siç e kishte paralajmëruar deputeti i PS-së Erion Braçe kërkoi të sqarohet situata në tregun e sigurimeve, pasi qytetarët po paguajnë më shumë siguracion se vjet.
“Ka një shqetësim shumë të madh nga qytetarët që po përballen me rritje të çmimeve. Shoqatat nuk japin shpjegime të qarta se çfarë po ndodh në treg. Situata mbetet e paqartë dhe e ka sjellë vetë rregullorja e miratuar nga AMF që jep parime, dhe në aneksin e saj ajo e përmbys rregulloren. Shqetësimi është i madh sidomos tek mjetet e punës që janë në vështirësi të madhe, janë mjete të vjetra dhe me fuqi më të madhe se mjetet e tjera, dhe çmimi ju është rritur mbi logjikën. Duhet patjetër një seancë dëgjimore për të kuptuar se çfarë po ndodh”, tha Braçe
“Plotësisht dakord sa më shpejt të jetë e mundur, dhe nëse është e nevojshme të thërrasim edhe grupet e interesit”, u shpreh Shalsi.
Braçe po ashtu tha se përpara se të zhvillohet seanca dëgjimore Komisioni duhet të pajiset me informacione krahasuese se sa ishin sigurimet e mjeteve vjet dhe sa janë aktualisht. Shtrenjtimi i sigurimit të detyrueshëm të mjeteve erdhi për shkak se në 1 janar 2025, ka hyrë në fuqi rregullorja e re e AMF-së, ku primi i sigurimit caktohet mbi bazë të disa faktorëve të riskut.
Në rregullore janë identifikuar 7 faktorë risku që shtrenjtojnë siguracionin si fuqia motorike, mosha e shoferit, eksperienca e tij në drejtimin e makinës, përdorimi i mjetit, qarku i regjistrimit të mjetit, vjetërsia e makinës dhe historiku me aksidentet.
Por në fakt të gjitha aksidentet apo dëmet e shkaktuara përpara vitit 2025, zerohen duke bërë që këtë vit drejtuesit e rregullt mos të përfitojnë bonus (ulje sigurimi) dhe problematikët të mos ndëshkohen me malus (shtrenjtim sigurimi).
Erjon kjo është shum e drejtë por shiko se sa pak reagojnë,kur ka shkrime politike komentet janë të shumta,ky është niveli mendojnë për partitë e jo për ekonominë e familjes.
Përgjigju