Çmimi i gazit për automjete ka shënuar një tjetër rritje gjatë ditëve të fundit, e treta radhazi që nga fillimi i janarit të këtij viti. Në pikat e tregtimit të naftës dhe gazit për automjete, një litër gaz tregtohet me 67-74 lekë/litër, teksa në fund të vitit të kaluar çmimi i tij luhatej mes 40-48 lekëve, pra më një rritje rreth 50-60%.

Rritja e parë u shënua që në ditët e para të vitit, duke reflektuar vendosjen e akcizës së gazit, me rreth 10 lekë për litër (8 lekë akciza e gazit, plus TVSH).

Më pas u shënuan dhe dy rritje të tjera, gjatë periudhës së ngricave dhe më e fundit javën e kaluar, duke e çuar rritjen totale në 26-30 lekë për litër, pra me gati trefishin e taksës.

Operatorët e tregut pohojnë se shtrenjtimi i gazit ka refektuar akcizën dhe rritjen e çmimit në bursat ndërkombëtare dhe ka ardhur nga grosistët.

Ndonëse paketa e re Fiskale, e rriti me 8 lekë për litër vetëm akcizën për gazin që do të përdornin automjete, si gjithnjë, tregu po sillet në mënyrë abuzive me rritjen e taksave pasi çmimi është rritur në mënyrë uniform edhe për përdoruesit familjarë dhe ata industrial, duke u shtrenjtuar me minimum 20 lekë për litër.

Autoriteti i Konkurrencës ka hapur në janar hetimin paraprak në të gjitha segmentet e tregut të importit, depozitimit, shitjes me shumicë, shpërndarjes dhe shitjes me pakicë të produktit gaz i lëngshëm për konsum familjar dhe biznes, për të parë nëse ka, ose jo, shenja të kufizimit të konkurrencës.

Nga monitorimi i Autoritetit konstatohet se në treg ka subjekte që tregtojnë me të njëjtin çmim, sjellje e cila mund të përbëjë shenja të një kufizimi të konkurrencës.


dy.b/shqiptarja.com