/ATSH/.- Komuna e Mitrovicës Jugore po përkujdeset për shëndetin e minatorëve grevistë në Trepçë.

Drejtoresha e Shëndetësisë në Mitrovicë, Naxherije Pllana, ka vizituar sot minatorët grevistë në horizontet e Minierës në Stantërg, ku është interesuar për shëndetin e tyre.
"Ne ishim sot në horizontet e minierës për të parë se si është gjendja shëndetësore e grevistëve, ku u informuam nga mjeku i minatorëve dhe mund të themi në përgjithësi se gjendja e tyre shëndetësore tani për tani është e qëndrueshme edhe pse disa prej tyre kanë probleme, pasi shumica e grevistëve vuajnë nga sëmundjet e ndryshme kronike dhe u nevojiten ilaçe për çdo ditë", tha Pllana.

I siguruam ata, vijoi ajo, se do të dërgojmë ekipet tona emergjente, përfshirë edhe mjekët. Përveç kësaj, ne do tu dërgojmë edhe ilaçet që u nevojiten, pasi ata ishin të vendosur që të vazhdojnë grevën e tyre.Ne si personel shëndetësor jemi mobilizuar dhe jemi të gatshëm të ndërhyjmë në rast nevoje në çfarëdo situate dhe në çdo kohë", theksoi drejtoresha Pllana.

Ajo njoftoi se mjekët janë të përgatitur për çfarëdo situate, duke përfshirë këtu edhe rezervimin e shtretërve nëse vjen puna deri te përkeqësimi i gjendjes shëndetësore të ndonjërit nga grevistët deri në atë masë sa është e nevojshme shtrimi në spital.