Ish-kryetari i PD, Tritan Shehu është shprehur në studion e "A1 Report" se Edi Rana nuk hyri në proces për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, por për të rrëzuar qeverinë. Për Shehun tymnaja e krijuar për zgjedhjen e një presidenti konsensual ishte vetëm një alibi e kreut të opozitës për të kamufluar dëshirën e tij për rrëzimin e kësaj mazhorance. "Në procesin e zgjedhjes së Presidentit ishin disa elementë negativë. Elementi i parë ishte krijimi i një tymnaje për presidentin konsensual. Ndërkombëtarët nuk e vunë si kusht, ata kërkuan president brenda Kushtetutës. Berisha ka thënë ne do të paraqesim kandidaturën tonë. U futëm në vorbullën e një njeriu konsensual, mbi palët. Nuk ka njeri mbi palët. Çdo njeri ka një të kaluar, një opinion, një preferencë dhe një përkatësi. Në momentin që bëhet president, ai del mbi këtë dhe merr pozicionin e tij kushtetues", deklaroi Shehu. I cili nuk ka munguar të sulmojë kreun e opozitës për tentativën e bllokimit të procesit. "Elementi i dytë që prishi atë element konsensusi ishte qëndrimi irracional i zotit Rama. Sepse ai pati mendimin e tij për të përdorur procesin e presidentit për të provokuar zgjedhje të parakohëshme. Në vend që të shkruante një editorial për të zgjedhur një president sëbashku, ai shkruajti 'hajde të rrëzojmë qeverinë'. Ai prishi dhe dëmtoi urat e bashkëpunimit dhe tregoi njëherësh dhe objektivin e tij jo për të zgjedhur presidentin", deklaroi Shehu. Për të cilin u mbyllën tre raundet e para dhe mbaroi pjesa e konsensusit, duke mos sjellë asnjë problem për zgjedhjen e kreut të shtetit nga politika. Pasi sipas tij dhe në Itali Presidenti aktual Napolitano s'është zgjedhur me votim me shumicë të cilësuar, është zgjedhur në raundin e fundit dhe nuk pati asnjë akuzë për këtë. "Në rastin e Presidentit shqiptar pati transparencë, pati kontakte politike, pati debate, por dhe u respektua Kushtetuta", tha Shehu. Ndërsa për dekretimin e lirimit nga detyra e Ministrit të Brendshëm të Nishanit, Shehu tha se "Topi besoj se është koshient se duhet të zbatojë detyrimin kushtetues". Ndërkohë që votën pro të aleatëve të Berishës, Shehu e quan një tregues për stabilitetin e mazhorancës. "Meta e LSI janë pjesë e koalicionit qeverisës, PD e Berisha kanë respektuar marrëveshjen e nëshkruar me LSI. Kjo tregoi se koalicioni ynë është i konsoliduar, real, respekton marrëveshjet. Presidenti e konsolidoi më tepër politikisht këtë koalicion", thotë Shehu.
(sg/shqiptarja.com)
/Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)








