TIRANE - Pronari i telefonit të vendosur për të aktivizuar shpërthimin me tritol në vendin ku parkon makinën babai i ministrit Tahiri, ka dhënë një përshkrim të personit të cilit i ka shitur aparatin telefonik. Sipas dëshmisë që 26-vjeçari me banim në Kamëz Ermirjon Gjuta ka dhënë në polici, ai ka pasur një bisedë të shkurtër mëngjesin e 8 Shkurtit me atentatorin e dyshuar, ku i ka shitur telefonin e tij Nokia 16-16 në zonën e Dollarit në Tiranë, ku i riu punon prej disa vitesh. (Telefoni është shitur dy ditë para atentatit me tritol tek rruga “Muhamed Gjollesha”, shpërthim i cili fatmirësisht u çaktivizua nga policia)

Sipas përshkrimit që ka bërë Gjuta, atentatori i dyshuar është i moshës rreth 30-35 vjeç, i gjatë rreth 180 centimetra, esmer, i veshur me xhinse dhe me të folur dialektore nga jugu. Gjuta konsiderohet personi kyç për hetimin, i cili mund të zbardhë identitetin e njeriut që tronditi kryeqytetin përmes një serie shpërthimesh të ndodhura orët e para të mëngjesit të 10 Shkurtit, e ku dy prej tyre kishin shënjestër familjen e ministrit të Brendshëm.

Sipas dëshmisë  të 26-vjeçarit, ai e ka shitur telefonin për 25 mijë lekë të vjetra dhe se pasi e ka blerë, personi i kërkuar nga policia, është larguar në drejtim të Shallvareve. Të riut i janë treguar pamje të kamerave të sigurisë nga rruga e Dollarit drejt Tajvanit, por sipas burimeve, mësohet se Gjuta ka thënë se nuk mund ta dallojë personin që i shiti telefonin.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar masën e sigurisë arrest me burg me afat 15 ditë për Emirjon Gjutën, kohë kjo sipas akuzës e mjaftueshme për të zbuluar nëse 26-vjeçari ka njohje me personin e dyshuar të atentateve apo jo. Megjithatë dyshimet e organit të akuzës janë se Gjuta nuk po tregon të vërtetën e plotë për të zbardhur ngjarjen. 

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)