Shpërthimi i fuqishëm i tritolit duket se e gjeti të papërgatitur Policinë e Shtetit. Pikërisht në momentin që ndodhi shpërthimi i fuqishëm që shkaktoi 8 të plagosur, Policia e Shkodrës po mbante ceremoninë e 105 vjetorit të krijimit.

Në pamjet që transmeton Report Tv duket drejtori i Policisë Gjovalin Loka, teksa mban fjalën e rastit ndërsa dëgjohet edhe shpërthimi i fuqishëm. Vetëm pak sekonda më pas, një prej oficerëve të policisë afrohet tek foltorja dhe u jep informacionin drejtuesve të lartë se një shpërthim kishte ndodhur në lagjen “Rus”.

Menjëherë pas marrjes së infromacionit, dhjetra punonjës policie vrapojnë për në vendin e ngjarjes. Edhe dëshmitarët rrëfejnë të tmerruar atë që ndodhi. Ata shprehen se shpërthimi ishte shumë i fuqishëm, ndërsa më pas kanë parë se si kalimtarë të rastit ndihmonin të plagosurit që ishin të shtrirë në rrugë. 

Shumë pranë vendit ku ndodhi shpërthimi ishte edhe një treg, çka ka rritur edhe më tepër shkallën e rrezikut.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com