Është shtyrë seanca në GJKKO për dëshminë e Kleviol Ahmetit në procesin ndaj ish-kreut të bandës së Lushnjës, Laert Haxhiu, i cili akuzohet nga SPAK për tritolin në lokalin e Rigels Rajkut, i njohur si Noizy. Në një deklaratë për mediat, personazhi i njohur i TikTok-ut, i njohur si Cllevio, tha se arsyeja ishte mungesa e njërit prej avokatëve të të pandehurit.
“U shty seanca për arsye se mungonte një nga avokatët e të pandehurit. Gjykata dhe prokuroria janë në rregull, nuk është se po shtyhet për shkak të tyre, por për shkak të dëshmitarëve dhe të pandehurve”, tha Cllevio.
Artistit Rigels Rajku (Noizy), i cili dëshmoi më 3 qershor, dyshohet se në vitin 2022 iu vendos tritol në lokal, sipas SPAK me urdhër të Haxhiut, pasi reperi i kishte rrahur mikun e tij Cllevio.
Noizy e cilësoi Cllevion fans të fiksuar pas tij, vetëm për vëmendje. Ai tha se para tritolit nuk e njihte Laert Haxhiun.
Në daljen e tij të mëparshme, Cllevio tha se do t’i kërkonte ndihmë kryeministrit Rama për ta pajtuar me reperin, por thotë se s’ka marrë përgjigje. Më tej, shton se tanimë as nuk e do pajtimin për shkak të deklaratave të mësipërme të Rajkut. Madje, e quan “palaço” dhe si të pavlerë për miqësinë e tij.
Kleviol Ahmeti: Përgjigje s’kam marrë dhe duke parë reagimin e tij më vonë që vjen dhe thotë sikur unë e kam fiksim, unë fiksimin me atë e kam heq dhe shok s’kam dashur kurrë të bëhem me atë se ai nuk është shoku im dhe nuk është ai shok që duhet të jetë për shoqërinë dhe unë nuk bëhem shok me njerëz të imoralshëm. E kam vendosur unë të mos bëhem shok me atë.
-Pra një përgjigje për pajtimin nga z. Rama nuk keni marrë?
Kleviol Ahmeti: Jo sepse z. Rama është i angazhuar me punët e veta dhe besoj, as nuk e ka parë fare.
-Do t’ia ribëni të njëjtën kërkesë?
Kleviol Ahmeti: Nuk do t’ia bëj, s’ka më kuptim sepse unë po mundohem për paqe, ai vjen këtu dhe do të tregojë veten VIP a kushedi ça është. Ai është thjesht një palaço, Nastradin i themi ne dhe kaq, s’kam ça shoku të bëhem me atë.
Cllevio ka deklaruar se nuk kishte dijeni për shpërthimin në lokalin e reperit dhe se për sherrin me Noizyn nuk e ka kërkuar asnjëherë ndihmën e Laert Haxhiut. Ai ka pranuar miqësinë me këtë të fundit.
Sot, ndërsa njoftoi edhe lançimin e projektit të tij më të ri muzikor në orën 18:00, tha se po “i vret me suksese.” Cllevio përmendi edhe incidentet në të cilat Noizy ka qenë i përfshirë ose i prekur, ndonëse nuk lidhen me procesin për Haxhiun dhe as me tritolin në lokalin e Rajkut. Argumenti i tij është se Noizy dyshon vetëm tek ai.
Kleviol Ahmeti: Unë po i vras me suksese këta dhe këta vijnë nëpër gjykata deklarojnë jo është këngëtar, jo s’është këngëtar. Unë s’e di çfarë ka ky më shumë se Dafina Zeqiri, unë nuk e di kush është ky. Ky është njeri që është gjuajtur me kallashnikov para Pallatit të Kulturës në tiranë, ky është njeri që është plagosur në prapanicë mes Prishtinës, ky është njeri që para 2-3 vjetëve, kushëriri i vet, djali i dajës, kushëriri i parë, i djeg 2 herë pronën dhe makinën.
-Ju jeni përballë si një person që keni nxitur dëmtimin e pronës së tij. Këto të tjerat nuk janë në proces, pse i përmendni?
Kleviol Ahmeti: Ky çfarëdo që ndodh, drejtohet te Klevioli. Ky nuk thotë, po, lokalin ma ka djegur kushëriri, ky nuk thotë që makinën e mamasë ma ka djegur kushëriri, ky thotë dyshoj te Klevioli, pse te Klevioli?
Laert Haxhiu po gjykohet më vete, për një sërë ngjarjesh kriminale, vrasje, gjobëvënie, vendosje tritoli, pasi u arrestua në Greqi, kur pjesa tjetër e grupit, kishte nisur procesin gjyqësor.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Komente









