Në një garë të mbushur plot adrenalinë dhe rivalitet të fortë sot në Krujë u zhvillua dita e dytë dhe finalja zyrtare e garës ndërkombëtare malore Trofeu Skënderbej 2026, nën organizimin e FASA-s, Federatës Shqiptare të Sporteve të Automobilizmit dhe Auto Club Albania, me vlefshmëri për kampionatin e FIA CEZ. Në këtë moment historik për sportin motorik shqiptarë morën pjesë pilotë nga Shqipëria, Kosova, Serbia dhe Mali i Zi.

Protagonisti absolut i këtij edicioni ishte piloti shqiptar Gentian Shaqiri, i cili me makinën e tij Tatuus dominoi fundjavën nga fillimi deri në fund, duke fituar jo vetëm garën, por duke hyrë në histori si shqiptari i parë që fiton Trofeun Skënderbej në renditjen e përgjithshme. Një arritje mbreslënëse për pilotin i cili punon edhe si pedagog në 'Universitetin e Tiranës'.

Shaqiri e mbylli garën me kohën totale 4:31.034, pas dy ngjitjeve zyrtare, duke lënë pas rivalët e tij më të afërt, serbin Uros Brkic me Osella PA 21 (4:47.082) dhe kosovarin Bardhyl Canolli me Radical SR8 (4:49.696).

Por triumfi i Shaqirit nuk ndalet këtu. Me performancën e tij të jashtëzakonshme, ai arriti të thyejë rekordin historik të pistës me gjysmë sekonde, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm të vendosur nga legjenda e hill climb-it, Laszlo Szasz, një emër që për vite ka dominuar garat malore në rajon dhe Evropën Qendrore.

Ky sukses përbën një arritje të jashtëzakonshme jo vetëm për Gentian Shaqirin, por për gjithë automobilizmin shqiptar, duke vulosur një moment që do të mbetet gjatë në historinë e këtij sporti.

Renditja finale – Top 5

1-Gentian Shaqiri (Shqipëri) – Tatuus – 4:31.034

2-Uros Brkic (Serbi) – Osella PA 21 – 4:47.082

3-Bardhyl Canolli (Kosovë) – Radical SR8 – 4:49.696

4-Belkim Fazliu (Kosovë) – Renault Megane RS3 – 5:14.470

5-Kushtrim Bytyçi (Kosovë) – Renault Clio – 5:15.845