SHKODER-Një shpërthim me eksploziv ka tronditur qytetin verior në orët e para të mëngjesit të sotëm, rreth ores 05:00. Tritoli i është vendosur makinës së shefit të financës në policinë kufitare, Admir Lishi 40 vjeç. Makina që u shpërthye me eksploziv është tip  ‘Benz’ me targa AA655MK, ndërsa tritoli ishte vendosur në pjesën e prapme.

Nga shpërthimi nuk ka pasur persona të lënduar, por vetëm dëme materiale, pasi makina ishte e parkuar poshtë banesës në lagjen  ‘Perash’. Report Tv ka siguruar edhe pamjet e makinës që u shpërthye me eksploziv. Pas njoftimit, policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes duke nisur hetimet.


(Makina që u shpërthye me eksploziv sot në Shkodër)

Shefi i financës së policisë kufitare është marrë në pyetje, ndërsa ka mohuar që të ketë pasur konflikte. Hetuesit dyshojnë për ndonjë konflikt të Lishit dhe thonë se ngjarja nuk ka lidhje me detyrën, pasi Admir Lishi punonte te Financa dhe jo te Policia Kufitare.


Fakti që shpërthimi ka ndodhur në një orar ku nuk kishte lëvizje qytetarësh, tregon se personat që kanë vendosur eksplozivin kanë pasur për qëllim paralajmërimin e shefit të Financës së Policisë Kufitare, por nuk përjashtohet edhe mundësia që autorët të kenë gabuar në shënjestër.