TROPOJË – Një aksident tragjik është shënuar mesnatën e së hënës duke u gdhirë e marta në Urën e Dragobisë në Tropojë ku një automjet në të cilin udhëtonin katër persona ka rënë në lumin e Valbonës. 

Për pasojë ka gjetur vdekjen Shpëtime Lilaj, 40 vjeçe, ndërsa rezulton i zhdukur në ujërat e lumit të Valbonës Shan Pjetri 42 vjeç.

Dy personat e tjerë që ndodheshin në automjet Albert Hysaj 31 vjeç dhe Shqiponja kanë mbetur të plagosur rëndë. Këta të fundit janë dërguar në spitalin e qytetit të Bajram Currit ku janë nën kujdesin intensiv të bluzave të bardha, ku mësohet se ndodhen në gjendje kritike për jetën.

Policia Rrugore ndodhet në vendngjarje ku së bashku me banorë të zonës dhe polumbarë kanë nisur punën për gjetjen e trupit të 42-vjeçarit Shan Pjetri.

Ndërkohë ende nuk dihen rrethanat e aksidentit, por paraprakisht dyshohet që drejtuesi i mjetit të ketë humbur kontrollin në momentin që makina ecte në Urën e Dragobisë. 

Mësohet se personat që ndodheshin në mjet janë banorë të fshatrave të Tropojës dhe Pukës.

*Lajmi ne perditesim

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)