Bomba e lëshuar nga kompania e monitorimit të basteve “Sport Radar” se në Shqipëri 97 ndeshje janë trukuar ka sjellë edhe reagimin e FSHF-së.“Raporti i publikuar para dy ditëve nuk është i panjohur, pasi ne jemi në dijeni të dyshimeve të ngritura për trukimin e ndeshjeve. Prandaj i kemi dorëzuar të gjitha faksimilet e ardhura nga UEFA prokurorisë së përgjithshme për të nisur hetimet.

Madje mund të shtoj se ne jemi vendi i vetëm që kemi bërë publike edhe faksimilet e ardhura, një gjë të tillë nuk e ka bërë më parë asnjë vend në Europë. Tashmë presim përfundimet e hetimeve nga prokuroria, pasi FSHF nuk ka tagrin për të kryer hetimet” shprehet zëdhënësi për shtyp i FSHF, Lirim Zalla. Ndërkohë që FSHF shprehet se janë ngritur strukturat e posaçme për rastet në fjalë dhe për këtë është ngritur komisioni i etikës, i cili ka të drejtë të japë verdiktin sipas gjykimeve.

”Mbërritur në këto koordinata dhe e ballafaquar me këtë situatë FSHF-ja kërkon nga Komisioni i Etikes një hetim të thellë, gjykim të ftohtë e të paanshëm dhe vërtetimin sa më shpejt të dyshimeve që ngrenë Kompanitë e Basteve Ndërkombëtare.

 Për të qenë sa më konkrete dhe sa më pranë strukturave të UEFA-s, Federata Shqiptare e Futbollit emëroi oficer-specialistin e integritetit i cili pret raportet e ardhura nga UEFA dhe bën koordinimin e tyre me Komisionin e Etikes" përfundon deklarata e FSHF.

Ndërsa në prokurori konfirmojë që hetimet vazhdojnë akoma, si organi i akuzës, ashtu edhe komisioni i etikës akoma nuk kanë dhënë asnjë vendim përpos faktit që janë trukuar 97 ndeshje sipas "Sport Radar".

dylber balla shqiptarja.com