Rikthehen proceset gjyqësore në kampionatin italian të futbollit pas përfundimit të procesit ndaj trajnerit të Juventusit, Antonio Conte.

Këtë herë prokurori Stefano Palazzi kërkoi pezullimin për një periudhë 3 vjet e 3 muaj të portierit të tretë të Napolit Mateo Gianello, si dhe 9 muaj pezullim për mbrojtësit Grava dhe Cannavaro.

Ndërkohë që Napoli rrezikon të penalizohet edhe me një pikë në renditjen e përgjithshme në Serinë A dhe të gjobitet me 100 mijë euro për tentativë të trukimit të ndeshjes Sampdoria–Napoli 1-0 e zhvilluar në maj të vitit 2010.

Komisioni Disiplinor nuk pranoi marrëveshjen me ish-portierin Gianello për një masë ndëshkimore më të lehtë, nga 3 vjet e 3 muaj në 1 vit e katër muaj, e kërkuar edhe nga prokurori Pallazzi,

por as marrëveshjen e Napolit për një masë ndëshkimore me gjobë. Tashmë pritet vendimi përfundimtar i komisionit të Disiplinës.

(d.b/shqiptarja.com)