Presidenti amerikan Donald Trump ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun ukrainas Volodymyr Zelensky.

Sipas mediave të huaja, Presidenti Zelensky ka ndarë detaje të kësaj telefonate, të cilës ai thotë se iu bashkuan edhe të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner.

"Ekipet tona po punojnë shumë tani dhe i falënderova për të gjitha përpjekjet dhe përfshirjen e tyre në negociatat për t'i dhënë fund luftës", tha Zelensky.

Zelensky shtoi se ata diskutuan çështjet mbi të cilat do të punohet në bisedimet e paqes në Gjenevë dhe në negociatat e ardhshme trepalëshe në fillim të marsit.

"Shpresojmë se kjo do të na lejojë të kalojmë në negociata në nivelin e udhëheqësve", shtoi Zelensky.

"Presidenti Trump mbështet këtë sekuencë hapash. Vetëm në këtë mënyrë mund t'i zgjidhim të gjitha çështjet komplekse dhe të ndjeshme dhe më në fund t'i japim fund luftës", vijoi më tej Zelensky.

Kujtojmë se Zelensky më parë ka thënë se është gati të takohet me Presidentin rus Vladimir Putin në terren neutral, për të çuar përpara negociatat e paqes.

Kur u pyet për një takim të tillë sot, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, vuri në dyshim "nëse ka ndonjë kuptim të mbahet një samit" midis dy udhëheqësve, ndërsa Ukraina mban qëndrimin e saj aktual në negociata.