Kriptovalutat janë kthyer në burimin më të madh të të ardhurave për Donald Trump. Sipas deklaratës së tij financiare për vitin 2025, presidenti amerikan ka fituar më shumë se 1 miliard dollarë nga bizneset e lidhura me asetet dixhitale vetëm gjatë vitit të parë pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë.
Dokumenti, i cili shtrihet në 927 faqe, tregon se Trump ka deklaruar 635 milionë dollarë të ardhura nga monedha meme që mban emrin e tij. Edhe pse vlera e saj ka rënë ndjeshëm që nga lançimi, vetëm pak ditë para se ai të merrte detyrën, ajo mbetet një nga burimet kryesore të fitimeve të tij.
Një tjetër pjesë e madhe e të ardhurave vjen nga World Liberty Financial, kompania e kriptovalutave e krijuar nga djemtë e Trump dhe fëmijët e të dërguarit të tij të posaçëm, Steve Witkoff. Nga kjo sipërmarrje, presidenti raportoi mbi 500 milionë dollarë.
Shifrat tregojnë se biznesi me kriptovalutat ka lënë shumë pas aktivitetet tradicionale të Trump në pasuritë e paluajtshme. Ai deklaroi rreth 122 milionë dollarë nga klubi i golfit në Doral të Floridës, 77 milionë dollarë nga Mar-a-Lago dhe më shumë se 30 milionë dollarë secili nga klubet e golfit në Bedminster, Jupiter dhe Turnberry në Skoci.
Në deklaratë përfshihen edhe miliona dollarë të ardhura nga produkte me markën Trump, si orë dore, Bibla, atlete, parfume dhe kitara.
Edhe Melania Trump ka raportuar fitime të konsiderueshme. Ajo deklaroi 10.7 milionë dollarë nga një marrëveshje licence për dokumentarin kushtuar asaj dhe 6 milionë dollarë të tjera nga shitja e NFT-ve.
Presidenti amerikan përfshiu gjithashtu miliona dollarë të ardhura nga zgjidhje gjyqësore, mes tyre 16 milionë dollarë nga një padi kundër ABC, 16 milionë dollarë nga CBS Broadcasting dhe CBS Interactive, 24.5 milionë dollarë nga Meta, 22 milionë dollarë nga YouTube dhe 8 milionë dollarë nga X. Sipas Shtëpisë së Bardhë, pjesa më e madhe e këtyre parave do të përdoret për bibliotekën presidenciale të Trump ose për një organizatë jofitimprurëse që mirëmban parqet në zonën e Uashingtonit.
Publikimi i deklaratës ka rikthyer edhe debatet për konfliktin e interesit, pasi administrata Trump ka ndërmarrë hapa për të mbështetur industrinë e kriptovalutave, ndërsa familja e presidentit ka interesa të drejtpërdrejta në këtë sektor.
Shtëpia e Bardhë i hodhi poshtë këto pretendime. Zëvendëssekretarja e shtypit, Anna Kelly, deklaroi se Trump e ka bërë SHBA-në "kryeqytetin e kriptomonedhave në botë" dhe se as presidenti dhe as familja e tij nuk kanë qenë apo nuk do të jenë të përfshirë në konflikte interesi. Edhe vetë Trump ka deklaruar më herët se nuk i nënshtrohet ligjeve federale për konfliktin e interesit.
Pas rikthimit në presidencë, Trump ka ndryshuar plotësisht qëndrimin ndaj kriptovalutave. Dikur ai e quante Bitcoin një "mashtrim" dhe një "katastrofë që pret të ndodhë", ndërsa tani administrata e tij po ndjek një politikë të hapur në mbështetje të aseteve dixhitale. Në korrik ai nënshkroi Aktin GENIUS, duke deklaruar se synimi është ta bëjë Amerikën "liderin e padiskutueshëm në asetet dixhitale".
Sipas revistës Forbes, pasuria e Trump vlerësohet në rreth 6 miliardë dollarë, nga 2.3 miliardë një vit më parë. Ndërsa Indeksi i Miliarderëve i Bloomberg e vlerëson pasurinë e tij neto në 7.6 miliardë dollarë.
Komente






