Presidenti amerikan, Donald Trump mbajti një fjalim në Forumin Ekonomik të Davosit. Fjalimi ishte parashikuar për 45 minuta, por Trump foli për një orë e 12 minuta.
Trump e nisi me kritika për Europën, ku u shpreh kontinenti i vjetër nuk po shkon në drejtimin e duhur.
"Disa vende në Evropë as nuk janë të njohura. Unë e dua Europën dhe dua që ajo të ecë mirë, por nuk po shkon në drejtimin e duhur. Ata po importojnë popullata nga vende të largëta, e njëjta strategji që ndiqte Joe Biden i përgjumur.", tha Trump.
Shkurtimisht, Trump u ndal te Venezuela, ku e cilësoi si një vend të shkëlqyer, por që kishte pasur probleme. Presidenti tha se SHBA ka marrë 50 milionë fuçi naftë nga Venezuela dhe shtoi se udhëhqesit atje, pas arrestimit të Nicolas Maduro, kanë rënë dakord për marrëveshje.
Trump deklaroi se ka respekt për popujt e Groenlandës dhe Danimarkës, por sipas tij, vetëm SHBA-të mund të garantojnë sigurinë e tyre. Ai theksoi se kërkon negociata të menjëhershme për blerjen e ishullit arktik duke përjashtuar mundësinë e ndërhyrjes ushtarake.
"Sa budallenj ishim që ia dhamë Groenlandën Danimarkës pas luftës. Kam respekt të madh për groenlandezët dhe danezët, por çdo vend i NATO-s ka detyrimin të mbrojë veten. Dhe tani vetëm Shtetet e Bashkuara mund ta mbrojnë atë. Ne ia kthyem Groenlandën Danimarkës pas luftës.
"Ndoshta nuk do të marrim asgjë nëse nuk vendos të përdor forcë dhe forcë të tepërt, ku do të ishim, sinqerisht, të pandalshëm. Por nuk do ta bëj këtë. Në rregull. Tani të gjithë thonë, oh, mirë.", u shpreh presidenti.
Sa i takon luftës në Ukrainë, për presidentin Trump, i takon Europës që ta zgjidhë këtë çështje.
“I takon Europës ta zgjidhë luftën në Ukrainë, jo Shteteve të Bashkuara. Kam një vit që punoj për luftën në Ukrainë, dhe në të njëjtën periudhë kam zgjidhur tetë luftëra. Putini më telefonoi për të më thënë se nuk i besohej që kisha zgjidhur konfliktin mes Armenisë dhe Azerbajxhanit brenda një dite, ndërsa ai po merrej me të prej dhjetë vitesh”, nënvizoi ai.

“Nëse nuk bëjnë paqe, janë budallenj”. Kështu tha Donald Trump në Forumin e Davosit, duke iu referuar presidentëve Volodymyr Zelensky dhe Vladimir Putin. Presidenti amerikan shtoi gjithashtu se lufta në Ukrainë duhej të ishte më e lehta për t’u ndaluar për të, por rezultoi kështu.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, u pa duke buzëqeshur mes të pranishmëve në Forumin Ekonomik Botëror, teksa presidenti Donald Trump e quajti atë “një djalë të mirë”.
“Ne do t’i ndihmojmë njerëzit në Kaliforni. Duam që të mos ketë krim. E di që Gavin ishte këtu. Kur isha president, shkoja shumë mirë me Gavin-in. Gavin është një djalë i mirë”, tha Trump, ndërsa kamera e kapi Newsom-in në sallë, i cili u filmua duke buzëqeshur ndaj këtij komenti.
Trump shtoi: “Do ta thosha këtë: po të isha një guvernator demokrat, ose çfarëdo qoftë, do ta telefonoja Trump-in dhe do t’i thosha: ‘Hajde këtu. Na bëj të dukemi mirë’”.
Newsom konsiderohet një kandidat i mundshëm demokrat për president në vitin 2028.

«Mark Zuckerberg më tregoi hartën e një fabrike të re, për të cilën do të shpenzojë 50 miliardë dollarë. Shtrirja e saj mbulon pothuajse të gjithë ishullin e Manhattan-it. E pabesueshme. Por do ta ndërtojë për të zhvilluar inteligjencën artificiale», tha Trump, duke iu referuar Meta-s.
Ai shtoi gjithashtu: «Kam pasur gjithmonë marrëdhënie shumë të mira me presidentin Xi Jinping dhe me presidentin Vladimir Putin, fuqitë më të mëdha».
Trump u pyet më pas: duke qenë se njihet si një “dealmaker”, çfarë marrëveshjeje sheh mes Shteteve të Bashkuara dhe Danimarkës për Groenlandën? Trump u përgjigj: «Menaxhimi i Groenlandës po i kushton Danimarkës qindra milionë dollarë. Dhe ata janë një vend i vogël. Ky është një copë akulli. Danimarka duhej të paguante qindra milionë dhe nuk e ka bërë. NATO i ka trajtuar Shtetet e Bashkuara shumë pabesisht, ne nuk kemi kërkuar asgjë. Tani është koha që NATO të hyjë në lojë».

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se amerikanët “janë shumë të kënaqur me mua” për faktin se ka realizuar “kthesën ekonomike më të jashtëzakonshme në histori”.
“Ne jemi motori ekonomik i planetit: kur ecim mirë ne, përfiton i gjithë bota; kur ecim keq ne, shkon keq e gjithë bota”, shtoi Trump.

Shtetet e Bashkuara synojnë të marrin “këtë copë të madhe akulli të quajtur Groenlandë” dhe, sipas presidentit amerikan Donald Trump, nëse Europa do të thotë po, “do ta vlerësojmë shumë”, ndërsa nëse do të thotë jo, “do ta mbajmë mend”. Këto deklarata Trump i bëri gjatë fjalimit të tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.
Duke u ndalur sërish te Groenlanda, Trump tha se ajo që po kërkon është “një copë akulli në këmbim të paqes botërore”. “Nuk është shumë”, u shpreh ai, duke e përshkruar ishullin si një territor të ftohtë dhe pak të populluar, por që, sipas tij, “mund të luajë një rol kyç për paqen botërore”.
Gjatë këtij pasazhi, siç vëren edhe NBC, presidenti amerikan gaboi disa herë emrin e ishullit, duke e quajtur Groenlandën “Islanda”. “Po ndihmoj NATO-n dhe deri pak ditë më parë, kur u fola atyre për Islandën, më adhuronin”, tha Trump në një nga momentet kur ngatërroi emrin e Groenlandës.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u tall me Emmanuel Macron-in, i cili në fjalimin e tij në Davos dje, shumë kritik ndaj tij, “bëri të fortin me ato syze të bukura dielli” që presidenti francez mbante për shkak të një problemi me sytë.
“Nuk do ta besoni, por më pëlqen Emmanuel-i”, tha Trump në fjalimin e tij në Forumin e Davosit.

“I takon Europës ta zgjidhë luftën në Ukrainë, jo Shteteve të Bashkuara”. Kjo është qëndrimi i ripërsëritur nga Donald Trump në fjalimin e tij në Davos, duke theksuar: “Kam një vit që punoj për luftën në Ukrainë, dhe në të njëjtën periudhë kam zgjidhur tetë luftëra. Putini më telefonoi për të më thënë se nuk i besohej që kisha zgjidhur konfliktin mes Armenisë dhe Azerbajxhanit brenda një dite, ndërsa ai po merrej me të prej dhjetë vitesh”.

Trump shprehu shkurtimisht edhe aspiratat e tij lidhur me Kanadanë: «Duhet të na jenë mirënjohës, por kryeministri i Kanadasë dje nuk ishte aq mirënjohës ndaj nesh».
Referimi është për Mark Carney-n, i cili në Davos deklaroi se sistemi i aleancave perëndimore ka marrë fund dhe se fuqitë e mesme duhet të bashkohen mes tyre për t’u mbrojtur nga superfuqitë.

Trump foli fillimisht për Ukrainën e më pas për Groenlandën: «Kam trashëguar një katastrofë sa i përket Rusisë dhe Ukrainës; kjo nuk do të kishte ndodhur kurrë nëse unë do të kisha qenë president. Njerëzit nuk e vlerësojnë atë që bëjmë ne — flas për europianët, të cilët nuk paguanin për NATO-n».
Për NATO-n, Trump vijoi: «Ka një sekretar të përgjithshëm të shkëlqyer. Mark — a je këtu?», pyeti Trump duke iu drejtuar Mark Rutte-s, i cili e kishte quajtur “paparino”.
«Nuk dua të përdor forcën, nuk do ta përdor forcën. Gjithçka që duam është një vend i quajtur Groenlandë. Ne kemi paguar 100% për NATO-n, por gjithçka që duam është Groenlanda. Na duhet pronësia për të ndërtuar mbrojtjet, titulli i pronësisë, edhe për arsye psikologjike. Kush e mbron një vend për të cilin ke vetëm një licencë?»

“SHBA-të janë trajtuar shumë keq nga NATO”. Kështu u shpreh Donald Trump në forumin e Davosit. “Ne kemi dhënë shumë dhe kemi marrë shumë pak në këmbim”, shtoi ai.

Presidenti amerikan, Donald Trump është shprehur se ka respekt për popujt e Groenlandës dhe Danimarkës.
Në Forumin Ekonomik të Davosit, Trump deklaroi se vetëm SHBA-të mund të garantojnë sigurinë e tyre.
"Ne besojmë thellësisht në lidhjet që ndajmë me Europën. Të gjithë duan një Perëndim të fortë dhe të bashkuar. Ne duam aleatë të fortë, ne duam një Europë të fortë. Unë jam skocez nga nëna dhe gjerman nga babai. Kam respekt të jashtëzakonshëm për popullin e Groenlandës dhe Danimarkës. Është një copë e madhe dhe e bukur akulli. Sa budallenj ishim që ia dhamë Groenlandën Danimarkës pas luftës. Kam respekt të madh për groenlandezët dhe danezët, por çdo vend i NATO-s ka detyrimin të mbrojë veten. Dhe tani vetëm Shtetet e Bashkuara mund ta mbrojnë atë. Ne ia kthyem Groenlandën Danimarkës pas luftës", theksoi presidenti.

Një vend të shkëlqyer, por që kishte probleme, e ka cilësuar Venezuelën presidenti amerikan, Donald Trump.
Trump u shpreh se SHBA mori 50 milionë fuçi naftë nga Venezuela dhe se u ra dakord për një marrëveshje.
"Ne morëm 50 milionë fuçi naftë nga Venezuela. Do ta ndajmë me ta. Ishte një vend i shkëlqyer, por kishte probleme. Sekreti është se ata ranë dakord të bënin një marrëveshje. Venezuela ishte një vend i shkëlqyer 20 vjet më parë dhe që tani e tutje do të jetë fantastike. Venezuela do të fitojë më shumë para në gjashtë muajt e ardhshëm sesa ka fituar në 20 vitet e fundit", deklaroi presidenti.
Komente









Ky kokdylli i White House ben pitbullin e Planetit,deri tani. Pet mua nuk e ka te gjate.
Përgjigju