Duke zbritur nga limuzina, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i dërgoi një mesazh homologut të tij rus, Vladimir Putin, duke i kërkuar “t’i japë fund luftës” në Ukrainë. Më pas, ai sulmoi sërish gazetarët, veçanërisht ata të CNN-it: “Thatë se nuk do të më mbulonit. Nuk duhet të më mbuloni”.
Trump e nisi fjalimin duke folur për lirinë e fituar nga Shtetet e Bashkuara 250 vjet më parë, nga e cila, sipas tij, amerikanët nuk do të heqin dorë “lehtë”, ndërsa deklaroi se “Amerika është rikthyer dhe sot është më e fortë se kurrë”.
“Ekonomia jonë është më e lakmuara në botë. Forcat tona të armatosura janë më të fuqishmet në Tokë. Teknologjia jonë nuk ia lë vendin askujt dhe jemi liderë praktikisht në çdo fushë. Energjia jonë furnizon planetin. Amerika po ringrihet. Kombi ynë po rritet. Fuqia jonë po zgjerohet. Vendi ynë është më mirë se kurrë dhe e ardhmja jonë është vërtet e ndritur”, shtoi ai.
“Irani nuk është më ngacmuesi i Lindjes së Mesme, nuk do të ketë kurrë armë bërthamore”
“Për 51 vjet, regjimi fanatik iranian ka sunduar përmes gjakderdhjes dhe masakrave, duke mbjellë vdekje, masakra dhe kaos në të gjithë Lindjen e Mesme dhe përtej saj; silleshin si ngacmuesit e Lindjes së Mesme, por nuk janë më”, deklaroi Presidenti amerikan, duke sulmuar Iranin.
Trump foli për “7 tetorin”, të cilin, sipas tij, udhëheqësi suprem iranian “e ka cilësuar si një shërbim ndaj njerëzimit”.
“Imagjinoni sikur një regjim i tillë i dhunshëm të kishte pasur ndonjëherë fuqinë për të kryer sulme terroriste në shkallë të gjerë, duke u strehuar pas një mburoje bërthamore. Ky ishte realiteti me të cilin duhej të përballeshim, një realitet që shumë njerëz preferuan ta injoronin. Unë veprova për të garantuar që as Shtetet e Bashkuara dhe asnjë komb tjetër të mos detyrohej ndonjëherë të përballej me një makth të tillë, me një problem kaq katastrofik" tha Trump
“Që kur hyra në skenën politike, qëndrimi im ka qenë i palëkundur: nuk do ta lejoj kurrë Iranin të pajiset me armë bërthamore. Sapo mora detyrën vitin e kaluar, nisa menjëherë negociatat me Iranin, duke i ofruar bashkëpunim të plotë ekonomik në këmbim të ndërprerjes së programit bërthamor dhe mbështetjes për terrorizmin, por ata refuzuan. Ishte një gabim i rëndë. Forcat e armatosura amerikane e asgjësuan programin e tyre bërthamor, duke e varrosur nën male rrënojash. Dhe, edhe një herë, i bëj thirrje Iranit të arrijë një marrëveshje" tha Trump
Presidenti amerikan akuzoi Iranin se ka shkelur armëpushimin “për negociatat mbi programin bërthamor, me akte të pacipa terrorizmi kundër anijeve civile të vendeve të tjera”.
Trump falënderoi më pas Këshillin e Sigurimit të OKB-së për miratimin me shumicë dërrmuese të një rezolute që dënon sulmet e rënda terroriste të Iranit kundër anijeve tregtare.
“Kjo rezolutë siguroi një numër bashkësponsorizuesish mes shteteve anëtare të OKB-së më të madh se çdo rezolutë tjetër e Këshillit të Sigurimit në histori”, tha ai.
“Kam një vendim të rëndësishëm për të marrë”, deklaroi Presidenti amerikan. “A do të arrihet një marrëveshje me Iranin, e cila do t’i lejojë ata të rindërtojnë dhe të krijojnë një vend shumë më të madh nga ç’ka qenë ndonjëherë në të kaluarën, ndoshta një prej kombeve më të rëndësishme të Lindjes së Mesme apo edhe të botës? Apo duhet ta asgjësoj Republikën Islamike, dhe ta bëj këtë shpejt, pa u dhënë më kurrë mundësinë të vrasin dhe të shkatërrojnë njerëz dhe vende? A duhet t’i dërgoj në ferr, pa asnjë mundësi mbijetese dhe pa asnjë shpresë për madhështi në të ardhmen apo për pasardhës" tha Trump
“Tani duhet të qëndrojmë po aq të bashkuar për të ruajtur presionin” ndaj Iranit, tha Trump, duke shtuar se “Marina e Shteteve të Bashkuara ka eskortuar së fundmi më shumë se një miliard fuçi naftë jashtë Ngushticës së Hormuzit dhe flukset e naftës janë më të larta se në çdo moment tjetër që prej fillimit të luftës”.
“Regjimi terrorist po sillet në mënyrë të papërgjegjshme, jo sepse është i fortë dhe i sigurt në vetvete, por sepse është i dobët dhe i dëshpëruar”, tha Trump.
Megjithatë, ai argumentoi gjithashtu se “Shtetet e Bashkuara dhe Irani do të arrijnë patjetër një zgjidhje, në një mënyrë apo në një tjetër, dhe kjo duhet bërë shpejt”.
“Ndërsa të tjerët flisnin, unë veprova. Ndërsa të tjerët flisnin për paqen, unë e realizova atë”, deklaroi Presidenti amerikan. “Ndërsa të tjerët i shpërfillnin kërcënimet, unë u përballa me to. Ndërsa të tjerët flisnin për guximin, Amerika e tregoi atë. Ndërsa të tjerët premtonin forcë, unë e përdora atë për ta bërë Amerikën vendin më të fuqishëm në botë" tha Trump
“Ukraina? Lufta do të përfundojë më shpejt nga sa mendohet”
“Po punojmë ngushtë me udhëheqësit e Rusisë dhe Ukrainës dhe do ta çojmë këtë çështje deri në fund. Do të ndodhë, besoj, më shpejt nga sa njerëzit mendojnë. Ata janë lodhur nga kjo”, deklaroi Trump, duke folur për konfliktin në Evropë.
“Meksika është epiqendra e dhunës së karteleve”
“Meksika është epiqendra e dhunës së karteleve. Fatkeqësisht, është e papranueshme për Shtetet e Bashkuara të ndajnë një kufi prej 2 mijë miljesh me një territor të kontrolluar nga kartele armike; prandaj, Meksika duhet të rimarrë kontrollin e territorit të vet, duke ua hequr atë armiqve të njerëzimit" tha Trump.
“Kuba është një shtet i dështuar. Koordinohet me të majtën radikale në SHBA”
Presidenti i Shteteve të Bashkuara deklaroi gjithashtu se “regjimi kuban ka kaluar dekada duke u koordinuar me të majtën radikale dhe rrjetet komuniste”, përfshirë ato në Shtetet e Bashkuara.
“Siç është dokumentuar nga Departamenti i Shtetit, ai ka kultivuar lidhje me grupe subversive dhe radikale, si Partia Komuniste e Shteteve të Bashkuara, Antifa dhe Democratic Socialists of America" tha Trump
“Administrata ime”, tha Trump, “po synon gjithashtu një ndryshim thelbësor të situatës në Kubë, ku regjimi komunist po përballet me një presion të jashtëzakonshëm, më të madhin që ka përjetuar ndonjëherë. Është një shtet që ka dështuar plotësisht; po shembet si kurrë më parë dhe do të bjerë" tha Trump
“Dy baza të mëdha amerikane në Groenlandë, marrëveshja nënshkruhet sot”
“Marrëveshja, e arritur me Mbretërinë e Danimarkës – një vend i mrekullueshëm dhe i jashtëzakonshëm – dhe me vetë popullin e Groenlandës, u jep Shteteve të Bashkuara kontroll të përhershëm mbi sigurinë dhe çdo nevojë tjetër të këtij territori. Do të kemi kompetenca të plota për të vepruar sipas nevojës për mbrojtjen e kontinentit amerikan, si edhe të Evropës dhe zonave të tjera" tha Trump.
“Asnjë kundërshtari të Shteteve të Bashkuara nuk do t’i lejohet më të krijojë një prani ushtarake në Groenlandë apo të kryejë investime sensitive pa miratimin tonë të shprehur me shkrim. Do të nisim menjëherë procesin për zhvillimin e një pranie të konsiderueshme ushtarake në vendndodhjet më të përshtatshme. Do të ndërtojmë dy baza ushtarake me rëndësi të madhe”, deklaroi Presidenti amerikan.
Ai shtoi se “marrëveshja do të nënshkruhet sot”.
“Mezi pres të bashkëpunoj me popujt e mrekullueshëm të Danimarkës dhe Groenlandës. Do të jetë një përvojë fantastike”, shtoi ai.
“U bëj thirrje të gjitha vendeve të tërhiqen nga Gjykata Penale Ndërkombëtare”
Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë “me të njëjtën vendosmëri” Gjykatën Penale Ndërkombëtare.
“Nuk do të lejojmë kurrë që ushtarakët amerikanë apo kushdo tjetër t’u nënshtrohen hetimeve apo proceseve farsë nga një gjykatë antiamerikane që nuk ka juridiksion mbi ne. Jeni një grup njerëzish të këqij”, tha ai.
Më pas, Trump u bëri thirrje vendeve të tjera të tërhiqen nga GJPN-ja, të cilën e cilësoi “një institucion të jashtëligjshëm”.
Ai tha gjithashtu se është “po aq e papranueshme që zyrtarët e lartë të OKB-së” për të drejtat e njeriut “t’ia kushtojnë kohën e tyre kritikimit të Shteteve të Bashkuara për faktin se kemi mbrojtur fëmijët tanë nga tranzicioni gjinor dhe nga çmenduria transgjinore, si dhe për faktin se kemi zbatuar ligjet tona të emigracionit”.
“SHBA-ja kundërshton planet për kontrollin e inteligjencës artificiale”
Duke folur për inteligjencën artificiale, Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë kategorikisht “çdo përpjekje për të ndërtuar një plan globalist për kontrollin e inteligjencës artificiale”
Ai tha se teknologjia për të cilën flitet gjithnjë e më shumë tani do të quhet zyrtarisht “superinteligjencë”.
“Po ia ndryshojmë emrin, sepse përdorimi i fjalës ‘artificiale’ e bën inteligjencën të duket e rreme. E bën të duket false dhe nuk është e tillë" tha Trump
“Çdo teknologji e re e rëndësishme sjell sfida dhe superinteligjenca nuk bën përjashtim. Megjithatë, janë të njëjtët njerëz që thoshin se të gjithë do të vdisnim brenda 12 vjetësh për shkak të ngrohjes globale – një term që më pas u riemërtua ‘ndryshim klimatik’, sepse planeti po ftohej dhe jo po ngrohej dhe askush nuk kishte vdekur – janë të njëjtët njerëz që tani pretendojnë se inteligjenca artificiale do të na vrasë të gjithëve, se robotët do të na sulmojnë dhe se gjithçka do të përfundojë në një katastrofë totale. Është i njëjti grup njerëzish”, deklaroi Presidenti amerikan.
“Është i njëjti grup që orkestroi mashtrimin ‘Rusi, Rusi, Rusi’, atë për ‘Ukrainën, Ukrainën, Ukrainën’, ndryshimet klimatike dhe kufijtë e hapur. Kushdo që fiton garën e inteligjencës artificiale, kushdo që arrin superinteligjencën, fiton. Është ai grup që fiton; për momentin ne kemi një avantazh të qartë ndaj Kinës dhe të gjithë të tjerëve. Dhe do ta ruajmë këtë avantazh. Do të vazhdojmë kështu" tha Trump
“Në Uashington kriminaliteti ka rënë dhe restorantet janë plot”
“Kur mbërrita në Uashington, më 20 janar të vitit të kaluar, qyteti ishte i pushtuar nga kriminaliteti, ndërsa tani kriminaliteti ka rënë me 87% dhe synojmë ta çojmë uljen në 100%" tha Trump
“Turizmi, nëse e keni vënë re – dhe imagjinoj se shumë prej jush kanë qenë atje – po lulëzon. Restorantet janë plot dhe njerëzit janë krenarë për kryeqytetin e vendit tonë. Janë krenarë si kurrë më parë”, deklaroi Trump. /CorrieredellaSera








Komente
Komento