Donald Trump u kthye të martën në figurën qendrore të samitit të G7 në Evian, ku lufta në Ukrainë dhe tensionet në Lindjen e Mesme dominuan axhendën e liderëve botërorë. Presidenti amerikan zhvilloi një takim me Volodymyr Zelenskyn, të parin mes tyre pas gati katër muajsh, si dhe një takim trepalësh me presidentin francez Emmanuel Macron.
Takimi vjen në një moment kur vendet europiane po kërkojnë më shumë presion ndaj Moskës për t'i hapur rrugë negociatave për fundin e luftës. Pas takimit me Zelenskyn, Trump deklaroi:
“Rusia duhet të bëjë një marrëveshje. Do të bëj gjithçka që është në fuqinë time. Kam folur tani me presidentin Zelensky dhe të dielën kam folur edhe me presidentin Putin. Ata vazhdojnë të luftojnë, vazhdojnë të humbin ushtarë. Kam zgjidhur tetë luftëra. Mendoja se kjo do të ishte më e lehta për t'u zgjidhur, por fatkeqësisht dy liderët nuk janë të përputhshëm dhe nuk arrijnë të takohen”, tha ai.
Edhe Zelensky dha sinjale pozitive pas diskutimeve në samit.
“Liderët e G7 bien dakord se Rusia nuk po fiton. Ka një dakordësi të plotë se Rusia nuk po fiton dhe se duhet të arrijë një marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi presidenti ukrainas.
Përveç Ukrainës, Trump u ndal edhe te Irani, duke deklaruar se negociatat me Teheranin po hyjnë në një fazë të re.
“Kalojmë tani në fazën e dytë. Besoj se do të jetë realisht më e thjeshtë. Ama, i gjithë ferri do të bjerë mbi Iranin nëse përpiqet të ketë armë bërthamore”, deklaroi presidenti amerikan.
Trump hodhi poshtë edhe raportimet për investime të mundshme amerikane në Iran.
“Është një histori qesharake”, tha ai.
Presidenti amerikan komentoi edhe raportet me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
“Kam pasur një marrëdhënie shumë të mirë me Bibi-n, por tani ai duhet të tregojë më shumë përgjegjësi ndaj Libanit”, deklaroi Trump.
Në Evian nuk munguan as sinjalet e afrimit mes Trump dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni. Pas takimit të zhvilluar në margjinat e samitit, Meloni dha një koment të shkurtër për mediat italiane:
“Me Trump shkoi mirë” tha ajo. Edhe gjatë ditës së martë, të dy liderët u panë duke biseduar përpara një dreke pune kushtuar krizave në Lindjen e Mesme, ku morën pjesë edhe kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti i Këshillit Europian Antonio Costa.

Presidenti amerikan Donald Trump ka shkëmbyer disa batuta në samitin e G7 me kryeministren italiane Giorgia Meloni.
“Na keni braktisur”, tha ai duke iu drejtuar edhe kancelarit gjerman Friedrich Merz. Por s’vonoi përgjigjja aty për aty e Melonit: “Kemi qenë gjithmonë miq!”, ia ktheu ajo me humor.
Ky moment duket se zbuti tensionet e fundit lidhur me çështjen iraniane, ndërsa gjithçka nën syrin e presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa.
Kancelari gjerman Friedrich Merz i ka dhuruar Presidentit amerikan Donald Trump një fanellë të ekipit kombëtar gjerman të Futbollit.
Gjithçka ndodhi në Samitin e G7-ës, pak para fillimit të seancës kushtuar Ukrainës, ku mori pjesë edhe Presidenti Volodymyr Zelensky.
Në fanellën që Merz i dhuroi Presidentit amerikan shkruhej ‘Trump 47’, duke marrë parashysh se Donald Trump është Presidenti i 47-ë i SHBA-së.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka shprehur mirënjohjen Kanadasë për paketën e re të sanksioneve kundër mbi 160 subjekteve të lidhura me flotën në hije të Rusisë.
"Jam mirënjohës ndaj Kanadasë për paketën e saj të re të sanksioneve kundër mbi 160 subjekteve të lidhura me flotën në hije të Rusisë", shkroi Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në llogarinë e tij në rrjetin social ‘X’.
"Sot, gjatë takimit tonë me Mark Carney, diskutuam rritjen e presionit të sanksioneve ndaj Rusisë. Dhe është e rëndësishme që të merren vendime të tilla. Diskutuam gjithashtu bashkëpunimin në mbrojtje, pjesëmarrjen e Kanadasë në financimin e prodhimit të dronëve ukrainas bazuar në modelin danez dhe bashkëpunimin në sektorin e energjisë", shkroi mes të tjerash Zelensky në rrjetet sociale.
"Është e rëndësishme të theksohet", shtoi ai, "se Kanadaja do të vazhdojë t'i ofrojë Ukrainës mbështetje energjetike dhe ndihmë për rimëkëmbje. E falënderoj Markun për qëndrimin e tij të vendosur gjatë takimit G7-Ukrainë dhe për gjithë mbështetjen e tij për popullin tonë. Ne kemi vërtet aleatë të fortë dhe angazhimi i rëndësishëm personal i Kryeministrit për të mbështetur Ukrainën është i paçmuar".
Nga samiti i G7 që po zhvillohet aktualisht në Evian të Francës, kryeministri britanik Keir Starmer dënoi sulmet ruse në Lavrën Pechersk në Kiev, duke i quajtur ato "të mjerueshme".
Në një mesazh të publikuar në rrjetin social ‘X’, Starmer shpjegoi se incidente të tilla justifikojnë sanksione të reja britanike kundër "anijeve, fondeve dhe individëve që mbështesin ekonominë e luftës së Rusisë", të cilat ai tha se kërcënojnë sigurinë evropiane.
Kryeministri përsëriti qëndrimin e ashpër të Londrës kundër Moskës, duke siguruar se Mbretëria e Bashkuar "do të rrisë presionin mbi Putinin dhe rrethin e tij të bashkëpunëtorëve" derisa "makineria ruse e luftës të ndalet dhe paqja të kthehet në kontinentin tonë".
Komentet vijnë ndërsa qeveria britanike përgatit një paketë të re sanksionesh kundër të ashtuquajturës "flotë në hije" të përdorur nga Rusia për të eksportuar naftë dhe gaz.
Komente






