Eurodeputeti Fredi Beleri mbajti fjalën e tij gjatë diskutimeve në Parlamentin Europian për raportin e progresit të Shqipërisë në procesin e integrimit europian, duke shprehur mbështetjen për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian, por duke kërkuar respektim të plotë të standardeve dhe legjislacionit europian.

Ai kritikoi qasjen e institucioneve europiane ndaj qeverisë shqiptare gjatë viteve të fundit, duke pretenduar se kryeministri Edi Rama është mbështetur për shkak të argumentit se ofron stabilitet dhe gëzon mbështetjen e qytetarëve.

"Për gati 13 vjet, me justifikimin se zoti Rama ofron stabilitet dhe gëzon mbështetjen e popullit, institucionet europiane e kanë mbështetur atë pa rezerva", tha eurodeputeti.

Sipas Belerit, qytetarët shqiptarë po protestojnë për shkak të problemeve që lidhen me funksionimin e demokracisë, mirëqenien ekonomike dhe sundimin e ligjit.

Deklarata e plotë e Fredi Belerit: 

Sot po diskutojmë një raport që njeh si aspiratën e Shqipërisë për t’u bërë anëtare e plotë e Bashkimit Europian, ashtu edhe mbështetjen e Parlamentit Europian për këtë proces.

Për gati 13 vjet, me justifikimin se zoti Rama ofron stabilitet dhe gëzon mbështetjen e popullit, institucionet europiane e kanë mbështetur atë pa rezerva.

Sot, qytetarët shqiptarë protestojnë për mungesën e demokracisë, për mungesën e mirëqenies, për cenimin e së drejtës së pronës, për manipulimin e drejtësisë, për lidhjet e qeverisë me krimin e organizuar dhe, në fund të fundit, për largimin e të rinjve nga vendi.

Natyrisht, këto probleme prekin pakicat, dhe mjafton të shihni minoritetin grek, që është më i madhi në vend.

Heshtja përballë realitetit, zbukurimi i situatës dhe prirja që në shumë raste ka treguar Komisioni AFET për t’u rreshtuar me kryeministrin shqiptar, interpretohen nga një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare jo si mbështetje për popullin shqiptar në realizimin e ëndrrës së tij europiane, por si mbështetje për Ramën.

Duhet të jemi të qartë: Po integrimit, por pa kompromise me acquis-in


Lajmi kryesor:

Integrimi/ PE diskuton raportin e Shqipërisë për 2025, propozohen 4 amendamente nga të majtët: Shqetësim për ‘Zvërnecin’! Schieder: Shqipëria, historia e ardhshme e suksesit të zgjerimit