Presidenti Donald Trump tha se SHBA-ja do të “fillojë” sulme tokësore kundër operacioneve të drogës në Amerikën Latine, por sërish refuzoi të japë detaje se kur dhe ku do të nisë realisht përshkallëzimi i fushatës së tij ushtarake, ose nëse vendet ende mund të bëjnë diçka për të shmangur veprimin e kërcënuar.

“Ne eliminuam 96% të drogës që hynte nga deti, dhe tani po fillojmë nga toka, dhe nga toka është shumë më e lehtë (efikase), dhe kjo do të fillojë të ndodhë,” u tha Trump gazetarëve të premten në Zyrën Ovale.

Presidenti amerikan prej ditësh ka premtuar zgjerimin e përpjekjes, e cila vjen pasi Pentagoni ka nisur një seri sulmesh ndaj asaj që i ka quajtur varka të kontrabandës së drogës në ujëra ndërkombëtare pranë bregut të Amerikës së Jugut.

Ndërsa qëndrimi demonstrativ i Trump është parë kryesisht si një fushatë presioni kundër presidentit venezuelian Nicolás Maduro, ai të premten këmbënguli se goditjet tokësore mund të mos prekin vetëm Venezuelën.

“Nuk duhet domosdoshmërisht të jetë në Venezuelë,” tha ai, duke shtuar se “njerëzit që sjellin drogë në vendin tonë janë objektiva.”

Trump i ka justifikuar veprimet pjesërisht duke e paraqitur luftën kundër trafikut të së drogës si të ngjashme me operacionet luftarake. Ai u tha gazetarëve se, nëse vdekjet nga mbidozat do të llogariteshin si vdekje në luftë, do të ishte “si një luftë e pashembullt.”

Goditja e objektivave në tokë do të përfaqësonte një përshkallëzim të madh, dhe Maduro më herët këtë javë tha se, nëse vendi i tij do të sulmohej nga jashtë, klasa punëtore duhet të ndërmarrë një “grevë të përgjithshme kryengritëse” dhe të ngrihet për “një revolucion edhe më radikal.”