“(Ju italianëve) ju pëlqen fakti që presidentja juaj (e Këshillit, shënim i redaksisë) nuk po bën asgjë për të siguruar naftën? – pyet Donald Trump në një telefonatë me Corriere della Sera – A i pëlqen kjo njerëzve? Nuk mund ta imagjinoj. Jam i tronditur nga ajo. Mendoja se kishte guxim, gabova”.

Para se të mund t’i bëjmë një pyetje, është presidenti i Shteteve të Bashkuara ai që na e bën neve, në një bisedë ekskluzive, duke na pyetur për kryeministren Giorgia Meloni.

A keni folur me të për këtë?

“Jo. Ajo thjesht thotë se Italia nuk dëshiron të përfshihet. Edhe pse Italia e merr naftën e saj nga atje, edhe pse Amerika është shumë e rëndësishme për Italinë. Nuk mendon se Italia duhet të përfshihet. Mendon se Amerika duhet ta bëjë punën për të”.

Për Papën, Giorgia Meloni ka thënë se ajo që ju keni thënë është e papranueshme

“Është ajo që është e papranueshme, sepse nuk i intereson nëse Irani ka një armë bërthamore dhe do ta hidhte në erë Italinë për dy minuta nëse do të kishte mundësinë”.

Por a keni folur për këto gjëra?

“Jo...”

Nuk keni folur as edhe një herë këtë muaj?

“Jo, jo prej shumë kohe”.

Pse?

“Sepse nuk dëshiron të na ndihmojë me NATO-n, nuk dëshiron të na ndihmojë të heqim qafe armën bërthamore. Është shumë ndryshe nga ajo që mendoja”.

Në një intervistë ekskluzive gjashtëminutëshe me Corriere, Donald Trump kritikon ashpër kryeministren italiane. “Nuk është më e njëjta, dhe Italia nuk do të jetë i njëjti vend, emigracioni po e vret Italinë dhe gjithë Europën”.

Trump gjithashtu kthehet të përsërisë se Europa po “shkatërron veten nga brenda” me politikat e saj të emigracionit dhe ato të lidhura me energjinë. “Paguajnë kostot më të larta në botë për energjinë dhe nuk janë as të gatshëm të luftojnë për ngushticën e Hormuzit nga ku e marrin atë. Varen nga Donald Trump që ta mbajë atë të hapur”.

Kur e pyesim nëse i ka kërkuar Italisë përdorimin e dragaminave, presidenti amerikan pohon: “Kam kërkuar të dërgojnë gjithçka që duan, por nuk duan sepse NATO është një tigër prej letre”.

Për Papa Leone dhe thirrjen e tij për paqe, Trump pohon se Papa nuk e kupton që Irani përbën një kërcënim bërthamor. “Nuk e kupton dhe nuk duhet të flasë për luftë, sepse nuk ka ide çfarë po ndodh. Nuk e kupton që në Iran kanë vrarë 42 mijë protestues muajin e kaluar”.

Kur e pyesim nëse është i mërzitur nga humbja e Viktor Orbán ai përgjigjet: “Ishte një mik i imi, nuk ishte zgjedhja ime por ishte një mik i imi, një njeri i mirë, ka bërë një punë të mirë për emigracionin. Nuk ka lejuar që njerëzit të vinin të shkatërronin vendin e tij siç ka bërë Italia”./CorrieredellaSera