Presidenti amerikan Donald Trump ka përjashtuar një sulm të menjëhershëm ushtarak ndaj Iranit, duke deklaruar se Uashingtoni nuk ka plane për të goditur Teheranin të dielën. Megjithatë, deklaratat e zyrtarëve amerikanë tregojnë se mundësia e një përshkallëzimi ushtarak mbetet e hapur.
“Përgjigjja është jo. Nuk do të ketë goditje”, tha Trump për gazetarët, ndërsa theksoi se SHBA-ja disponon dy grupe të ndryshme raportesh inteligjence për situatën në Iran.
Nga ana tjetër, një zyrtar amerikan sipas mediave të huaja deklaroi se Trump është i gatshëm të ndryshojë qasjen ndaj Teheranit dhe se një sulm mund të jetë çështje kohe.
Më herët, presidenti amerikan kishte paraqitur dy alternativa për Iranin: arritjen e një marrëveshjeje diplomatike ose përshkallëzimin e veprimeve ushtarake. Ngushtica e Hormuzit, një pikë kyçe për transportin global të naftës mbetet në qendër të tensioneve, ndërsa SHBA-ja vijon presionin detar ndaj Iranit.
Trump foli gjithashtu për zhvillimet në luftën Rusi-Ukrainë, duke paralajmëruar takime të mundshme diplomatike mes palëve për arritjen e një marrëveshjeje. Ai komentoi edhe protestat në disa vende evropiane, duke kritikuar politikat e migracionit, si dhe akuzoi Tajvanin se ka dëmtuar industrinë amerikane të gjysmëpërçuesve përmes çmimeve të ulëta.




Komente
Komento