Përfaqësues të shoqërisë civile e avokatë kanë dënuar veprimet e policisë ndaj protestuesve në dy javët e fundit duke e quajtur “dhunë joproporcionale” e deri “terrorizuese.” Në një deklaratë për mediat, ata shprehen se kanë dorëzuar javën e shkuar një kallëzim në SPAK për të hetuar strukturën komanduese.

Një hap i mundshëm i tyre mund të jetë ndjekja institucionalisht e ushtrimit të dhunës me qëllimin për të delegjitimuar protestën.

“Nuk pajtohemi në mënyrë absolute me dhunën që është ushtruar në këto dy javë, disproporcionale, madje terrorizuese deri në njëfarë pike, e shkaktuar nga policia. Kanë të gjithë të drejtën e tyre për të protestuar, ngritur zërin, kërkuar llogari qeverisjes dhe kryeministrit Rama. Ne nuk e kemi ndalur aksionin tonë vetëm te fjala. U japim një mesazh të fortë studentëve dhe rinisë shqiptare që është derdhur në shesh prej 2 javësh, ndoshta për gati 4 muaj nëse konsiderojmë edhe protestën e flamingove ku shumë nga ne kanë qenë dhe janë pjesë integrale e saj. Jemi këtu për t’u dhënë solidaritet studentëve të vazhdojnë dhe të ngrenë zërin, të kërkojnë të drejtat e tyre. Një grup juristësh, pjesë e jona, kanë depozituar javës së shkuar një kallëzim penal në SPAK për të nxitur një hetim të plotë ndaj inidivdëve apo strukturës komanduese dhunë të koordinuar kundër studentëve që janë në të drejtën e tyre të protestojnë. Dhuna ushtrohet për të imponuar heshtje, dekurajuar, delegjitimuar dhe përçudnuar protestën dhe protestuesit. Edhe ky mund të jetë një aksion yni për ta përçuar në rrugë institucionale”, shprehen ata.

Ata i bëjnë thirrje SPAK-ut të përshëpejtojë hetimin dhe njëkohësisht, të jetë sa më i plotë. Vetë avokatët e juristët kanë ngritur një grup pune për të ndjekur rastet e dhunës.

“Ne kemi një grup pune që dokumentojnë dhe arkivojnë të gjitha pamjet. Mund të ketë edhe kallëzime të tjera”, shtojnë më tej.

Lidhur me arrestimet, grupi i avokatëve bën me dije se deri më tani janë 200 minorenë me masë sigurie.