Trump, plane për krijimin e një agjencie për mbledhjen e tarifave

Trump, plane për krijimin e një agjencie për mbledhjen e tarifave

Foto ilustruese

Presidenti i zgjedhur Donald Trump njoftoi të martën planet për të krijuar një agjenci të re të quajtur Shërbimi i të Ardhurave të Jashtme për të mbledhur tarifa nga vendet e tjera.

"Ne do të fillojmë të vendosim tarifa ndaj atyre që përfitojnë nga tregtia me vendin tonë, ata do të fillojnë të paguajnë", tha zoti Trump të martën në rrjetin e tij social Truth Social. Ai e krahasoi agjencinë e re me agjencinë aktuale të vendint për mbledhjet e taksave.

Krijimi i një agjencie të re kërkon një akt të Kongresit dhe republikanët kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat.

Presidenti i zgjedhur Trump, i cili është zotuar të zvogëlojë qeverinë, dëshiron të krijojë një agjenci të re për të kryer funksione që tashmë i kryejnë agjencitë ekzistuese, duke përfshirë Departamentin e Tregtisë, Doganën dhe Patrullën Kufitare, të cilat mbledhin detyrime dhe të ardhura nga vendet e tjera.

Zoti Trump ka zgjedhur dy sipërmarrës të njohur për të udhëhequr Departamentin e tij të Efikasitetit të Qeverisë, një organizatë joqeveritare e ngarkuar me misionin për të gjetur mënyra për të pushuar nga puna punonjësit federalë, për të shkurtuar programet dhe rregulloret federale, të gjitha pjesë e axhendës "Shpëtoni Amerikën", që ai pritet ta zbatojë në mandatin e tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë.

Miliarderi Elon Musk dhe sipërmarrësi Vivek Ramaswamy po udhëheqin përpjekjet ambicioze të Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë për të zvogëluar qeverinë federale dhe për të pakësuar shpenzimet e saj.

Kërcënimi për vendosje të tarifave në nivel 25 për qind ndaj mallrave të vendeve aleate si Kanadaje dhe Meksika dhe 60 për qind ndaj mallrave të importuara nga Kina, janë bërë një çështje kryesore ekonomike e Presidentit të zgjedhur Trump ndërsa ai përgatitet të fillojë mandatin e tij të dytë.

Ekonomistët thonë se koston e tarifave do ta paguanin konsumatorët dhe në përgjithësi janë skeptikë ndaj tyre, duke i konsideruar ato një mënyrë kryesisht joefikase të qeverive për të mbledhur para dhe për të rritur begatinë.

Ligjvënësit demokratë kritikuan menjëherë planin e zotit Trump për krijimin e agjencisë për mbledhjen e tarifave.

"Asnjë ide e çuditshme nuk do të mund ta fshehë faktin se zoti Trump po planifikon një rritje të taksave prej triliona dollarësh për familjet dhe bizneset e vogla amerikane për të financuar shkurtimin e taksave për të pasurit", tha përmes një deklarate senatori demokrat nga Oregoni, Ron Wyden, i cili është anëtar i Komisionit të Senatit për Financat./ VOA

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Po transportonte 10 kilogramë kanabis, arrestohet në flagrancë një person te mbikalimi i Shkozës 

Po transportonte 10 kilogramë kanabis, arrestohet në flagrancë një person te mbikalimi i Shkozës