Presidenti i SHBA, Donald Trump tha se shpreson të arrijë fazën e dytë të planit të paqes në Gaza shumë shpejt, ndërsa paralajmëroi se Hamasi do paguajë ferrin nëse nuk çarmatoset shpejt.

"Ata duhet të çarmatosen brenda një kohe mjaft të shkurtër", tha Trump gjatë konferencës për shtyp pas takimit me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Florida.

I pyetur nëse ishte i shqetësuar se Izraeli nuk po lëvizte mjaftueshëm shpejt për fazën e dytë të planit, Trump tha se vendi i kishte “përmbushur kushtet e planit”.

"Nuk jam i shqetësuar për asgjë që po bën Izraeli, jam i shqetësuar për atë që njerëzit e tjerë po bëjnë ose ndoshta nuk po bëjnë", shtoi ai.

Plani i paqes në Gaza hyri në fuqi në tetor. Sipas fazës së dytë, një qeveri teknokratike do të krijohej në territorin e shkatërruar, Hamasi do të çarmatosej dhe trupat izraelite do të tërhiqeshin. Më pas do të fillonte rindërtimi i Gazës.

Por kritikët kanë sugjeruar se Netanyahu mund të kërkojë të vonojë procesin e planit dhe në vend të kësaj të shtyjë Hamasin të çarmatoset përpara se trupat izraelite të tërhiqen.

Kryeministri izraelit është akuzuar se nuk dëshiron të angazhohet seriozisht me çështjen e një të ardhmeje politike për palestinezët. Zyrtarët e Hamasit kanë thënë se një çarmatim i plotë duhet të ndodhë së bashku me përparimin drejt një shteti të pavarur palestinez.

Që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, të paktën 414 palestinezë janë vrarë nga ushtria izraelite në Gaza, sipas ministrisë së shëndetësisë.

Ushtria izraelite, e cila kontrollon më shumë se gjysmën e Gazës, ka thënë se ka hapur zjarr vetëm në përgjigje të shkeljeve të armëpushimit. Ajo ka fajësuar Hamasin për vrasjen e tre ushtarëve izraelitë gjatë së njëjtës periudhë.

Gjatë konferencës për shtyp, Trump paralajmëroi gjithashtu se SHBA-të do të nisnin sulme të mëtejshme ndaj Iranit nëse zbulohej se po përdorte vende të ndryshme për të zhvilluar armë bërthamore.