Tiranë, 12 Nëntor / ATSH - Pas performancës së sukseshme që Trupa e Baletit të TKOB pati me baletin "Impact dhe Table" prej datës 6 deri në 11 nëntor 2014, ajo do të niset menjëherë në Tetovë, ku janë ftuar të interpretojnë përsëri dy pjesë koreografike kontemporane.
Pjesa e parë koreografike do të jetë baleti me titull "La Stravaganza" të koreografit me origjinë shqiptare Angelin Preljocaj dhe pjesa e dytë do të jetë pikërisht një pjesë nga baleti që sapo pati premierën e tij, "Table" të koreografit Portugez Daniel Cardoso.
Ilir Kerni
Sic është shprehur edhe Drejtori i TKOB, Ilir Kerni, këto performanca jo vetëm janë një mënyrë e mirë për të trajnuar balerinët tanë me baletin modern (duke qënë se ata vijnë nga një shkollë e baletit klasik), por përbëjnë produksione me të cilat mund të paraqitemi me dinjitet në të gjithë teatrot nëpër botë.
Pikërisht "eksportimi" i aktiviteteve artistike në TKOB është edhe një nga qëllimet e politikave të këtij institucioni dhe trupa e baletit do të performojë në Tetovë në datën 13 nëntor 2014 e që do të hapë sezonin artistik 2015 në Teatrin e Modenas me Baletin Coppelia (me muzikë të Leo Delibes dhe Koreografi të Ilir Kerni) dhe me Baletin La Stravaganza (me koreografi të Angelin Preljocaj).
/k.m//a.ke/