TIRANE - Pas vdekjes së ish-të burgosurit politik, Lirak Bejko, i cili ndërroi jetë tre javë pasi i vuri vetes flakën gjatë grevës së urisë, kanë reaguar miqtë e tij ish të përndjekur politik.

Besim Valteri, një prej ish-grevistëve, u shpreh për televizionin A1Report, se do të bashkohet bashkë me shokë të tjerë për të mos e lënë në harresë këtë ngjarje shumë të rëndë për ta. “Do bashkohemi të gjithë shokët. Jemi bërë shtatë deri tani. Do e çojmë arkivolin e tij para Kryeministrisë”, tha i përlotur Besim Valteri në një prononcim për Tv A1Report.

Ndërkaq, dhimbjes së humbjes së njërit prej shokëve të tyre, i është bashkuar edhe koordinatori i grevës së urisë, Skënder Tufa, i cili kërkoi për mikun e tij Lirak Bejko që të dekorohet me titullin më të lartë. Tufa i bëri thirrje presidentin Bujar Nishani, “që të dekorojë këtë pishtar të drejtësisë”.

Në një prononcim për TV A1Report Tufa tha se familja e Bejkos është në kushte shumë të vështira ekonomike dhe se për këtë arsye fëmijët e tij deri në moshë madhore duhet të kenë pensione nga shteti.

Ndërkaq, si Besim Valteri ashtu edhe Skënder Tufa akuzojnë drejtpërdrejtë kryeministrin e vendit, Sali Berisha si autor të kësaj vdekjeje, sipas tyre jo natyrale. “Berisha është krimineli që ka vrarë vëllain tonë Lirak Bejko”, -u shpreh Tufa.

(Gre.M/Shqiptarja.com)