TIRANE - Skënder Tufa , ish-koordinatori i grevës së urisë së ish-të burgosurve politik të zhvilluar për plot një muaj (shtator-tetor), nëpërmjet një prononcimi për mediat ka akuzuar efektivët e komisariatit numër 2 të policisë se e kanë shoqëruar pa të drejtë në ambientet e komisariatit një ditë më parë.

“Kjo është jo vetëm shkelje e lirive dhe të drejtave të njeriut por është edhe një rast flagrant, i cili bën apel para çdo qytetari shqiptar që njerëzit që kundërshtojnë kryeministrin aktual mund të ndëshkohen në format dhe mënyrat më ekstreme. Dje familjet tona nuk mundën të bënin vitin e ri, për arsye se ne kishim dalë të bënim disa shpenzime për familjet dhe kur u kthyem në orën 9 të darkës dyqanet ishin të mbyllura. Kur u kthyem në darkë pamë fëmijët dhe gratë tona duke qarë, pra kjo ishte një dhuratë të cilën na e dha Kryeministri aktual, i cili nxori edhe njëherë kthetrat e tij duke dëshmuar edhe njëherë se është një uzurpator të gjitha pushteteve të cilat i përdor për interesat e tij vetjake. Rasti i fundit është tregues flagrant jo vetëm i shkeljes i lirive të drejtave të njeriut por edhe i instalimit të diktaturës në këtë vend”, u shpreh Tufa.

Sipas Tufës, ai përgjohet dhe vëzhgohet rregullisht nga efektivet e policisë, ndërsa thekson se kjo ndodh për shkak të pozicionit tij kundër qeverisë.

(Gre.M/shqiptarja.com)