Në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” kryetari i shoqatës së ish-të burgosurve politikë Skënder Tufa është shprehur se si kontributor në rrëzimin e qeverisë së Berishës, beson se qeveria e re e kryesuar nga Edi Rama do të zgjidhë në mënyrë reale çështjen e kësaj shtrese të vuajtur në mënyrë direkte nën diktaturën komuniste. Tufa deklaron se qeveria e re e ka nisur mbarë dhe hapat e saj të parë janë shumë premtues, duke zbuluar faktin se në buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm janë planifikuar plot 28 milionë dollarë si këst dëmshpërblimi, ku përfitojnë në fillim të gjithë ata të burgosur politikë që janë gjallë.
Njëherësh kreu i shoqatës së të burgosurve politikë kërkon nga mazhoranca e re në këshillin bashkiak të Tiranës që në përkujtim të grevës së urisë dhe heroit të saj, që u vetëflijua duke u vetëdjegur me benzinë Lirak Bejko, t’i vendoset emri i tij sheshit. Tufa bëri me dije se grupe të caktuara të përndjekurve që mbështesin opozitën kanë bërë disa tentativa të dështuara për të krijuara probleme, siç është rasti për varrezat në Ballsh apo përgatitja për protesta në dhjetor të këtij viti në prag të marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE nga Shqipëria, duke i cilësuar këto veprime si përpjekje për të dëmtuar vendin. Kreu i shoqatës nuk ka munguar të prekë dhe pikën më të dobët, atë të reformimit të Institutit të të Përndjekurve Politike dhe largimin e kreut të tij Simon Miraka, të cilin e akuzon si mbështetës të Berishës dhe aspak pro shtresës që përfaqëson.
Keni qënë një ndër kontributorët për rrëzimin e qeverisjes së Berishës dhe ardhjen në të pushtet të së majtës së bashkuar. Tashmë konkretisht, cilat janë prishmëritë tuaja ndaj qeverisjes së re të drejtuar nga kryeministri Edi Rama?
Nga qeveria e re ne presim vlerësim për kontributin e dhënë për rrëzimin e diktaturës. Le të shikojmë si si do bëhet ky vlerësim nëpërmjet zbatimit rigoroz dhe të drejtëpërdrejtë të ligjit të miratuar nga Kuvendi për shtresën tonë. Kemi ndjekur buxhetin që do të shpallet në fillim vitit të ardhshëm, dhe aty është fiksuar që për të burgosurit politikë do të ketë zbatim rigoroz të ligjit për dëmshpërblimin që do të jepet.
Kemi mësuar se është 28 milion dollarë shuma që do të akordohet për të burgosurit politikë nga qeveria aktuale për 2014. Janë rreth 10 mijë ish të burgosur politikë dhe kemi kërkuar dhe na është premtuar se trajtimi i parë me dëmshpërblim do bëhet për ata që janë gjallë. Ndaj do të jepet i plotë ky këst. Pas trajtimit të gjithë ish-të burgosurve që janë gjallë, do të fillojë dhënia e kësteve për trashëgimtarët dhe të afërmit, sipas përcaktimit që ka dhënë ligji. Të gjitha këto veprime tregojnë se hapat e para të kësaj qeverie të re janë shumë premtuese.
Ndonjë gjë specfike çfarë është kërkuar për t’u implementuar nga ana e qeverisë së re në favor të ish-të burgosurve politikë apo më saktë atyre që kontribuan...?
Për pjesëmarrësit e drejtëpërdrejtë në grevën e urisë dhe mbështetësit e tyre është kërkuar që të marrin tërësisht shumën e mbetur, duke respektuar këtu vuajtjen e vazhdueshme në të gjitha regjimet, dhe në veçanti kontributin e drejtëpërdrejtë për veprimtarinë që solli grushtin e rëndë ndaj qeverisë diktatoriale të Berishës. Dhe kjo mendoj mund të jetë rruga për çdo qytetar që të kërkojë dhe të marrë vetë me kontributin e tij atë që i takon.
Pra, meqë keni kontribuar për rrëzimin e Berishës por dhe i quani premtues hapat e qeverisë së re, po thoni se e përkrahni...?
Për sa kohë që ne do të kemi përkrahje dhe ligji do të flasë për ne si për të gjithë qytetarët e tjerë shqiptarë, do të jemi në mbështetje të qeverisë së re dhe do të parandalojmë çdo veprim antiligjor që po tentohet të bëhet me të burgosurit politikë në mënyrë të veçantë, e me të përndjekurit politikë në përgjithësi. Janë bërë disa tentativa që grupimet e të përndjekurve politikë të bëjnë protesta kundër qeverisë re. Rastet flasin vetë tashmë.
U bë një tentativë me prishjen e varreve në Ballsh të Fierit. Logjikisht kuptohet se kush ka interes të bëjë rrëmujë dhe konflikte? Ai që ka pushtetin nuk ka nevojë për rrëmuja. Të gjithë e panë se kush shkoi te varrezat duke mbajtur fjalime dhe dihet kush ka tentuar të marrë pushtetin me kufoma njerëziSh.
Po thoni që ka tentativa për të krijuar probleme në dëm të qeverisë së re nga shoqata afër opozitës dhe vetë opozita....?
U bë një tentativë nga disa grupime individësh që po kërkojnë të mobilizojnë të përndjekurit për të reaguar pasi gjoja po kërkohet një pension 500 mijë lekësh për ish-të burgosur të veçantë, pa kaluar më parë nëpër procedurat ligjore. Këto janë metoda të paramenduara që nuk kanë qëllim për të zgjidhur problemin e të burgosurve politike pasi asgjë nuk kalon pa ligj, por kërkon të acarojë të përndjekurit politikë që nuk kanë marrë gjë deri më sot, për faj të qeverisë së Berishës, që të ngrihen në protesta, ndërkohë që kjo qeveri ka vetëm një muaj në detyrë.
Këto protesta tentohet të bëhen në pragdhjetorin e këtij viti kur Shqipëria do marrë statusin e vendit kandidat. Grupimi tashmë opozitar po kërkon që me të gjitha mënyrat të pengojë ëndrrën e shqiptarëve. Dhe këtë e kërrkojnë pikërisht ata që i kanë shkelur, dhunuar dhe përdhunuar shqiptarët gjatë 8 viteve të pushtetit të tyre. Ndaj çdo veprim që bie ndesh me statusin e Shqipërisë në BE është mirëfilli kundër interesave të shqiptarëve dhe të Shqipërisë.
Ju si të burgosur politikë që vitet e fundit jo vetëm keni zhvilluar protesta, por dhe një grevë urie, si dhe akte ekstreme, si vetëdjegie me bezinë, çfarë kërkoni më tej....?
Ne si të burgosur politikë kemi dhënë shënjen “SOS” disa herë për të paralajmëruar që opozita aktuale do të tentojë të bëjë të gjitha veprimet për të parandaluar suksesin e qeverisë aktuale në dëm të interesave të vendit. Ne si të burgosur politikë me datën 10 tetor përkujtuam të unifikuar 1 vjetorin e grevës dhe aktin heroik të Lirak Bejkos. I kemi kërkuar bashkisë së Tiranës nëpërmjet grupit të ri mazhoritar në këshillin bashkiak që sheshi ku kreu aktin heroik të vetëflijimit Lirak Bejko të marrë emrin e tij. Në atë shesh është vënë një pankartë simbolike, një shqiponjë dhe fotoja e Lirakut me mbishkrimin: Sheshi “Lirak Bejko”.
Ne si të burgosur politikë për sa kohë që grupimet e ashtuqujtura të djathta s’kërkojnë në radhë të parë të falur për fyerjen, persekutimin dhe dhunimin e shtresës së të burgosurve të diktaturës që i bënë për 20 vite, si dhe për përgjegjësinë e drejtëpërdrejtë për humbjen e jetës së Lirak Bejkos, sa herë që ata të kërkojnë të prononcohen në emrin tonë, ne do i përgjigjemi në mënyrë të drejtëpërdrejtë e në mënyrat më demokratike kundër. Çështja e të burgosurve politikë, ende s’është shtruar për zgjidhje reale, për arësye se ata i ke sot të papunë, të pastrehë dhe në një gjendje mjerane. Ne do të kërkojmë që brenda ligjeve qeveria të marrë në konsideratë gjendjen e këtyre njerëzve dhe t’i trajtojë ata për një integrim real në jetë.
Të burgosurit dhe të përndjekurit politikë janë të përçarë në disa shoqata, e mendoni idenë e një bashkimi…?
Deri më tani politika qeverisë që iku, të përndjekurit politikë i ka përdorur si karburant politik duke abuzuar me ta politikisht dhe ekonomikisht, si dhe duke përçarë. Ne pretendojmë që me institucionalizimin e rishikuar të institucioneve që përfaqësojnë të përndjekurit politikë, pra me unifikimin e dy instituteve në një të vetëm, përkatësisht Institutit të Përndjekurve Politikë dhe Institutit të Krimeve Kundër Njerëzimit, do të synojmë ribashkimin e të burgosurve dhe të përndjekurve politikë jo vetëm nëpërmjet politikave, por dhe nëpërmjet trajtimit të problemeve të tyre, që do t’i çojmë për zgjidhje.
Mënyra dhe forma se si do të trajtohen problemet e të burgosurve e të përndjekurve politikë do jetë edhe një mënyrë bashkimi i këtyre njerëzve, ku padyshim që do të ketë dhe përplasje mes militantëve të partive. Por këtu ne flasim për shtresën e gjërë dhe të paimplikuar me klasën politike, për ata njerëz që deri dje u nëpërkëmbën, flasim për ata që deri dje nuk patën një zë real që t’i mbronte, pasi të gjithë ata që kanë folur deri më tani në mënyrë zyrtare, i kanë bërë këto veprime vetëm për qëllime personale dhe partiake.
Ju po thoni se duhet ndryshuar rrënjësisht Instituti i të përndjekurve politikë...?
Instituti i të Përndjekurve politikë tashmë shihet nga të gjtihë që është një institucion i pafuqishëm, i pavlerë dhe i mbushur me militantë që i shërbyen partisë që na rrahu, na dogji, na dhunoi, na burgosi. Tashmë ka dalë qartazi në dritën e diellit se është partia e drejtuar nga personi i cili jo në vitet ‘90 por në vitin 1989 është caktuar të bëjë zbatimin e vendimeve të “Katovicës” në Shqipëri. Këtë deklaratë e ka bërë njëri nga themeluesit veteranë të PS, pikërisht Servet Pëllumbi.
Përsa i përket Institutit të të përndjekurve politikë ne kemi kërkuar që kur ai të marrë formën e plotë të unifikikimit si dhe të drejtohet dhe të menaxhohet nga përfaqësues të ish-të burgosurve politikë, që janë kontribues të drejtëpërdrejtë për rrëzimin e diktaturës së berishiane. Për këtë arësye ne i jemi drejtuar kryeministrit, me një material i cili ka firmat dhe kërkesat e të përndjekurve dhe shoqatave të tyre dhe do t’i ridrejtohemi me një material të plotë nëpërmjet ministrit të Drejtësisë me kërkesën që të firmoset dhe vuloset nga 8 shpoqata që janë me një zë të përbashkët për personin që do të t’i drejtojë ata në vitet në vazhdim.
Fondi
“Kemi mësuar se është 28 milion dollarë shuma që do të akordohet për të burgosurit politikë nga qeveria aktuale për 2014. Janë rreth 10 mijë ish të burgosur politikë dhe kemi kërkuar dhe na është premtuar se trajtimi i parë me dëmshpërblim do bëhet për ata që janë gjallë. Ndaj do të jepet i plotë ky këst”.
Shkrimi u publikua sot (16.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)