Kjo letër e Tuk Jakovës, dërguar Komitetit Qëndror me 6 dhjetor 1944, dëshmon fakte interesante rreth këtyre ditëve të ngarkuara me një temp të pazakontë për komunistët shqiptar të cilët sapo kishin marrë në dorë pushtetin. Ndërsa qeveria provizore ishte futur tashmë në Tiranë, Tuk Jakova nga Shkodra raporton se partizanët ishin futur në Shkodër dhe dhe se qyteti i kishte shpëtuar valës shkatërruese.
Por përreth tij të gjithë urat ishin shembur. Tuk Jakova raporton se pozita e Partisë Komuniste në Shkodër nuk ishte fort e favorshme, dhe se puna e partisë kishte qenë e dobët. Në një miting të organizuar prej tyre kishte pasur mjaft pjesmarrje dhe interesi kishte qenë i lartë, por ngritja e pushtetit në qytetin verior ishte ende në hapat e parë. “Po punojmë për ngritjen e Këshillave.
Në Qytet janë zgjedh por në rrethina duhet punë. Po dërgojmë njerëz për të kompletue ngritjen e pushtetit”, shkruan Jakova. Me interes janë paragrafët e fundit të kësaj letre ku Tuk Jakova flet për arrestimet që janë bërë në Shkodër fill pas hyrjes së komunistëve në këtë qytet. “Arrestimet po vazhdojnë, në burg jemi dyke mbajt vetëm ata qi kanë për të dhanë hesapë, të tjerët i mbajmë nën vërejtje në qytet”, shkruan Jakova, ndërsa i njofton se po ju dërgon një listë të plotë të të arrestuarve dhe kërkon më tej që ti jepen udhëzime të qarta çdo të bëhet me ta e ç’vendime duhen marrë.