PRISHTINË- Anulimi i mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, ka qenë justifikimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të mos takuar kreun e qeverisë Edi Rama në ndalesën e tij në Kosovë, në kuadër të Turit Ballkanik 48 orësh. Kryeministri Rama mbërriti pasditen e kësaj të enjteje (6 korrik) në Kosovë, ku takoi Presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca. 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se sot me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën ka diskutuar për proceset e ardhshme në agjendën ndërkombëtare, me fokus në Samitin e NATO-s dhe Samitin e Procesit të Berlinit. Kryeministri Edi Rama ka reaguar për takimin me Vjosa Osmanin. Teksa ka ndarë disa foto në Facebook, Rama shkruan se ishte një takim i dobishëm. Ai thotë se temë bisedimi ishte edhe përgatitja për Procesin e Berlinit dhe atë të NATO-s.

“Me Vjosa Osmanin, Presidente e Republikës së Kosovës, një takim i dobishëm dhe bashkëbisedim i hapur për temat e vizitës, Samiti i Berlinit në Tiranë & Samiti i NATO-s, si edhe shqetësimet e përbashkëta”, shkruan Rama.

Thirrjeve të sotme nga Shkupi të kryeministrit Rama me referencën e Kanunit, homologu i tij ‘i mbylli derën’. Por sipas kryeparlamentarit Glauk Konjufca, ky vendim i Albin Kurtit do duhet respektuar. Pavarësisht nënshkrimit të 13 marrëveshjeve të dy qeverisë Kosovë-Shqipëri që do duhej të mbahej më 14 qershor, kryeparlamentari i Kosovës thotë se kjo i bëri dëm të madh Kosovës, madje këtë e konsideroi lëndim. Sidoqpoftë, ai thotë se raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk janë krisur, ndryshe Rama nuk do të ishte pritur nga askush.

“Ne nuk kemi probleme shtetërore me Shqipërinë. Problemi ka ardhur nga ana e Shqipërisë sepse pa arsye madhore anuloi mbledhjen e shumëpritur të qytetareve të Kosovës.

Nuk është acarim i raporteve aq sa mos të takohen fare. Unë do e kisha përdorur shprehjen lëndim, ne u lënduam nga anulimi i mbledhjes së dy qeverive, po jo aq sa mos ta presim Ramën.”- thotë Konjufca.

Në një prononcim për mediat, Konjufca tha se i kërkoi ramës të ketë të njëjtën qasje si Kosova për atë çka përjeton nga Serbia.

“Kërkuam që ta ketë sensin tonë të situatës, Kosovës do e ndihmonte që të kishte përputhshmëri në relacion me çfarë përjetojmë ne nga Serbia. Nëse ne pajtohemi me idenë sesi është qasja e Serbisë ndaj nesh, nëse kemi dallime ne nuk i jemi duke i shërbyer qytetarëve të vendit tonë.”- tha ai.

Një koment e pati edhe për draft-asociacionin e propozuar nga Rama për asociacionin Kosovë-Serbi ku tha se është në interesat e vendit të tij. Ndonëse tha se Rama e kishte garantuar se ësahtë në përputhje me Kushtetuën e Kosovës, Konjufca nënvizoi se propozimi i tij përkon me një autonomi të serbëve në veri.

“Rama ka ndarë elementët e asociacionit por ai pretendon se është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Për mua më është dukur se aty ka një autonomi të serbëve në veri.”- tha ai.

Kryeministri Rama pritet që nesër të jetë në Beograd në kuadër të Turit Ballkanik 48-orësh. Ditën e sotme zhvilloi takim në Shkup e më pas në Prishtinë.

Teksa dilte nga ambientet e zyrës së tij Kurti është pyetur nga mediat nëse ka në plan të takohet me Ramën, pyetje së cilës kreu i qeverisë së Kosovës ka refuzuar t’i përgjigjet. Kurti ka përshëndetur gazetarët dhe ka hyrë në automjetin e tij dhe është larguar.

Një ditë më parë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti refuzoi një takim me kryeministrin shqiptar Edi Rama, i cili po e zhvillon këtë tur në në kuadër të përgatitjeve të samitit për Procesin e Berlinit që pritet të mbahet në tetor në Tiranë. Kurti kushtëzoi takimin me Ramën, ku i kërkoi atij zhvillimin e mbledhjes së përbashkët ndërmjet dy qeverive. Kurti tha se do të mirëpriste Ramën të zhvillonin mbledhjen e dy qeverive e të firmosnin13 marrëveshjeve të përbashkëta për të cilat ishin dakordësuar më parë. Me firmosjen e 13 marrëveshjeve sot nga qeveria shqiptare, tashmë pritet sërish përgjigja e Kurtit!

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:37
VIDEO/ Kurti nuk e priti në takim, Rama iu shmanget gazetarëve: S’kam homologun, nuk bëj dot konferencë

Kryeministri Edi Rama, pasi ka dalë nga Kuvendi i Kosovës, ku zhvilloi takimin me kryeparlamentarin Glauk Konjufca. Rama iu shmang pyetjeve të gazetarëve, duke thënë se nuk ka homologun e tij dhe se nuk bën dot konferencë.

Rama ndodhet në Kosovë në kuadër të turit ballkanik për Procesin e Berlinit, por Albin Kurti nuk e priti në takim për shkak të anulimit të mbledhjes mes dy qeverive.

Ora 19:56
Rama në Kosovë: Takim i dobishëm me Presidenten Osmani

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për takimin me Vjosa Osmanin. Teksa ka ndarë disa foto në Facebook, Rama shkruan se ishte një takim i dobishëm.

“Me Vjosa Osmanin, Presidente e Republikës së Kosovës, një takim i dobishëm dhe bashkëbisedim i hapur për temat e vizitës, Samiti i Berlinit në Tiranë & Samiti i NATO-s, si edhe shqetësimet e përbashkëta”, shkruan Rama.

Ora 19:08
Kurti i mbylli ‘derën’ Ramës, Konjufca: Është vendimi i tij, të respektohet! Draft-asociacioni? Mua më është dukur se aty ka një autonomi të serbëve në veri


Kryeparlamentari Glauk Konjufca zhvilloi një prononcim për mediat pas takimit me Ramën. Ai thotë se refuzimi nga ana e Kurtit për takimin me të duhet respektuar pasi ka qenë mbledhja e dy qeverive ajo çka dëmtoi marrëdhënien mes dy vendeve. Konjufca thotë se i kërkoi Ramës të jetë në të njëjtën linjë në qasjen që ka Serbia ndaj Kosovës.

“Unë ja shpjegova që jemi vendosur në këtë pozitë para dëshirës sonë. Serbia na ka vënë para këtyre opsioneve.

Ne nuk kemi probleme shtetërore me Shqipërinë. Problemi ka ardhur nga ana e Shqipërisë sepse pa arsye madhore anuloi mbledhjen e shumëpritur të qytetareve të Kosovës.

Nuk është acarim i raporteve aq sa mos të takohen fare. Unë do e kisha përdorur shprehjen lëndim, ne u lënduam nga anulimi i mbledhjes së dy qeverive, po jo aq sa mos ta presim Ramën.

Kur ne jemi në të drejtën tonë dhe kur nuk na kupton as Shqipëria. Me këtë Kosova vetëm mund të dëmtohet. Rama ka ndarë elementët e asociacionit por ai pretendon se është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Për mua më është dukur se aty ka një autonomi të serbëve në veri.

Pyetje: A u konsultuat me Kurtin para takimit? 

Asgjë nuk ndodh pa konsultimet me Kurtin.

Refuzimi i Kurtit, ka qenë ide e tij dhe duhet respektuar. Marrëveshjet janë nënshkruar dhe ishte dëm i madh që nuk u bë në mbledhjen e qeverive. Ramën e pritën krerët më të lartë shtetërore, nëse do të ishim kundër tij  nuk do e takonim. Kërkuam që ta ketë sensin tonë të situatës, Kosovës do e ndihmonte që të kishte përputhshmëri në relacion me çfarë përjetojmë ne nga Serbia. Nëse ne pajtohemi me idenë sesi është qasja e Serbisë ndaj nesh, nëse kemi dallime ne nuk i jemi duke i shërbyer qytetarëve të vendit tonë.”-thotë Konjufca.

Ora 18:55
Kryeministri përfundon takimin me kryeparlamentarin e Kosovës! Konjufca: Rama ka më shumë presion se ne! Me Kurtin do takohen së shpejti

 

 Pas Osmanit, Rama ka ka takuar edhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca. Rama vizitoi Kosovën në kuadër të Turit të tij Ballkanik.

"Rama i shqetësuar nga presioni ndërkombëtar për Kosovën. Ai e ka presionin me sa duket më shumë se ne. Ne s’kemi probleme me Shqipërinë, duket sikur problemi ka ardhur nga andej jo nga ne."- thotë Konjufca.  Ata do të takohen së shpejti edhe pse jo sonte. 

Ora 18:31
Rama në Kosovë, ambasadori i SHBA në Prishtinë i bashkohet takimit me Osmanin

 

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Kosovë në kuadër të turit Ballkanik për Procesin e Berlinit. Gjatë takimit me presidenten Vjosa Osmani, takimit i është bashkuar edhe ambasadori amerikan në Kosovë Jeff Hovenier.

Pas përfundimit të takimit, ai nuk ka folur për mediat.

Ora 17:59
Osmani pas takimit me Ramën në Prishtinë: Kryefjalë e bisedimeve, situata në veri të Kosovës

1688659295_168865499615.jpeg

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se sot me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën ka diskutuar për proceset e ardhshme në agjendën ndërkombëtare, me fokus në Samitin e NATO-s dhe Samitin e Procesit të Berlinit.

“Forcimi i mëtejmë i bashkëpunimit në mes të dy shteteve tona është në të mirë të qytetarëve tanë dhe në të mirë të së ardhmes sonë të përbashkët euroatlantike.”, ka shkruar Osmani në Fcaebook.

Një njoftim e ka patur edhe Presidenca e Kosovës. 

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Në takim u diskutua për samitin e NATO-s, i cili do të mbahet gjatë korrikut në Vilnius të Lituanisë, për samitin e Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet në Tiranë në tetor të këtij viti si dhe për situatën aktuale në Kosovë e rajon, në raport me zhvillimet e fundit të sigurisë në veri të vendit.

Presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës për t`i adresuar sfidat e përbashkëta me të cilat përballet rajoni së bashku me partnerët euroatlantikë.

Në raport me situatën e sigurisë në veri, Presidentja Osmani theksoi se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës. Për më tepër, theksoi se është e domosdoshme që ata që kanë sulmuar NATO-n, gazetarët, policinë e Kosovës dhe qytetarët në veri, të jenë përgjegjës para ligjit, sepse pandëshkueshmëria mund të nxisë edhe më shumë dhunë.

Sa i përket Samitit të Procesit të Berlinit, u bisedua për domosdoshmërinë e hyrjes në fuqi të të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani në këtë proces, e sidomos asaj që ka të bëjë me lirinë e lëvizjes, si dhe për mundësinë e rritjes së projekteve dhe fondeve përfituese për vendet e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit.

Nga ana tjetër, sa i përket Samitit të NATO-s, Presidentja falënderoi Shqipërinë për përkrahjen e vazhdueshme sa i përket anëtarësimit të Kosovës në këtë aleancë, ndërkaq ritheksoi rëndësinë e ecjes përpara me anëtarësim në Partneritet për Paqe, si hap drejt anëtarësimit të plotë në NATO, i cili njëkohësisht do t’i kontribuonte stabilitetit afatgjatë në rajon.

Presidentja Osmani dhe kryeministri Rama u dakorduan që të vazhdojnë koordinimin në të mirë të qytetarëve të dy shteteve tona si dhe në të mirë të paqes dhe sigurisë rajonale.

Pas takimit me Osmanin, Rama do të takohet me kryeparlamentarin Glauk Konjufca.

Ora 17:55
I ndante vetëm një godinë, Kurti largohet nga zyra pa takuar Ramën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti teksa dilte nga ambientet e zyrës së tij, është pyetur nga mediat nëse ka në plan të takohet me Ramën, pyetje së cilës kreu i qeverisë së Kosovës ka refuzuar t’i përgjigjet. Kurti ka përshëndetur gazetarët dhe ka hyrë në automjetin e tij, dhe është larguar.

Nga ana tjetër, Rama është shprehur gjatë vizitës së tij më herët në Maqedoni, në kuadër të turit ballkanik, se nuk beson se Kurti e ka harruar Kanunin, pasi edhe hasmit nuk i mbyllet dera kur të vjen në shtëpi.

Ora 17:07
FOTOT/ Rama takim me Osmanin, publikon pamjet nga takimi ‘kokë më kokë’ me presidenten e Kosovës

 

Kryeministri Edi Rama ka ndarë disa foto me Presidenten Vjosa Osmani të cilën e ka takuar sot në kuadër në turit Ballkanik të kryeministrit.

Ora 16:03
Rama mbërrin në Prishtinë, takon Presidenten e Kosovës Vjosa Osmanin! Ende pa konfirmim ‘përballja’ me Kurtin

 

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Kosovë. Ashtu siç ishte parashikuar ai ka takuar Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin teksa më vonë pritet të takojë kryeparlamentarin Glauk Konjufca. Ende nuk ka një konfirmim nëse do ketë një takim ‘kokë më kokë’ me Kurtin. Kjo përballje është gjithnjë edhe më e përfolur pas refuzimit të Kurtit dhe ironive të vazhduara të Ramës.