Belgu Kjell Cooman është fituesi i etapës së parë të Turit të 83-të Çiklistik të Shqipërisë. Ai arriti të fitojë garën, e cila nisi nga Tirana dhe përfundoi në qytetin e Lezhës, ku çiklistët përshkuan 177 kilometra rrugë, ndërsa vendin e dytë e zuri Timotej Bavec dhe të tretin Alin Toader.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve u zhvillua në qytetin e Lezhës, në prani të Kryetarit të Bashkisë, Pjerin Ndreu, i cili e vlerësoi këtë aktivitet ndërkombëtar si mjaft të rëndësishëm për Shqipërinë.
Fituesi i garës, Kjell Cooman, u shpreh i emocionuar, por edhe i lumtur që arriti të triumfojë.
"Ishte një ditë e mirë dhe jam i lumtur që mora fitoren dhe kryesimin e klasifikimit të përgjithshëm. Kishte shumë erë përballë dhe kisha frikë se do na kapte grupi por u shkëputa te ura finale dhe e mbylla garën i vetëm. Është një vend shumë i bukur më pëlqen shumë. Tani do të përpiqem të mbaj kryesimin por etapa e katërt do të jetë më e vështira", tha ai.
Turi i 83-të Çiklistik, me pjesëmarrjen e 20 skuadrave elitare nga vende të ndryshme të ballkanit dhe Evropës, do të vijojë deri më 22 maj në zona të ndryshme të Shqipërisë.
Komente







